Urbanët, qytetarët më të sigurt me para në dorë se sa me abone
Qytetarët e Tiranës preferojnë të udhëtojnë me linjat urbane, duke paguar biletën dhe shmangin abonentë. Nga të dhënat statistikore të Bashkisë së Tiranës rezulton se shumica e qytetarëve udhëtojnë me para në dorë, më pak me abone dhe një pjesë tjetër falas. Statistikat tregojnë se në një muaj udhëtojnë 29 969 udhëtarë me bileta, duke paguar shumën e 30 lekëve. Rreth 14 mijë udhëtojnë me abone, ndërsa 5 218 udhëtojnë falas. Pagesa e tarifës mbetet më e sigurt në udhëtimin e udhëtarëve me të gjitha linjat urbane në të gjithë Tiranën. Arsyet që qytetarët preferojnë të udhëtojnë me para në dorë, janë problemet e vazhdueshme me abonetë që hidhen në treg. Abonetë që shpërndahen çdo fillim muaji janë në një numër të caktuar, të cilat përfundojnë shumë shpejt dhe një pjesë e qytetarëve janë të detyruar të udhëtojnë vetëm nëpërmjet pagesës së biletës. Nga ana tjetër, një pjesë e qytetarëve nuk janë udhëtarë të përditshëm, të cilët nuk blejnë abone për shkak të tarifave që janë rritur së fundmi. Tarifat e aboneve pak muaj më parë u rritën duke shkuar në shumën e 1200 lekëve për abonetë e përgjithshme, kundrejt 1000 lekëve të abonesë së një linje urbane dhe 6 mijë lekë abonetë e studentëve. Edhe pse tarifat janë rritur kushtet e Urbanëve janë tepër problematike, ku stina e nxehtë i nxjerr më në dukje.
Qytetarët që udhëtojnë me linjat urbane në kryeqytet janë të asfiksuar nga kushtet me të cilat përballen çdo ditë gjatë udhëtimit. Linjat urbane të kryeqytetit nuk ofrojnë asnjë kusht për të mundësuar udhëtimin nga një zonë në tjetrën. Mungesa e kondicionerëve dhe kushtet higjienike bëjnë që udhëtimi të jetë pothuajse i pamundur. Bashkia e Tiranës parashikon në marrëveshjen e bërë me Shoqatën Kombëtare të Transportit Urban, krijimin e kushteve optimale gjatë stinëve të dimrit dhe të verës. Sipas kësaj marrëveshjeje, urbanët duhet të jenë të pajisur me kondicionerë dhe duhet të fshihen apo të lahen vazhdimisht. Por kjo gjë nuk ndodh nëpër urbanë, ku gjatë verës vapa të mbyt, ndërsa gjatë dimrit i ftohti dhe shiu ndihet si brenda dhe jashtë. Ndërsa papastërtia dhe plehrat e hedhura përtokë gjenden kudo.
Statistikat e udhëtimit
Udhëtimi me biletë 29 969 qytetarë
Udhëtimi me abone 14 061 qytetarë
Udhëtimi falas (me librezë) 5218 qytetarë
Në total 49 248 qytetarë
8 Qershor 2009