E Diel, 1 Nëntor 2026

Klientë, harrojeni kreditimin 100% të shtëpive nga

Ndryshimet e skemave të kredisë për blerjen e shtëpive pas krizës financiare. Ofertat e bankave gjatë kësaj periudhe dhe hezitimi për të marrë kredi

Albert Gjoka, Ervin Koci

Na ishte një kohë kur merrnim kredi në masën 100 për qind për të blerë shtëpi. Tashmë kjo periudhë duket se ka përfunduar, pasi të gjitha bankat financojnë vetëm 70 apo 80 për qind të vlerës. Kriza financiare dhe ekonomike në tregjet globale dhe pasojat e saj në Shqipëri kanë shkaktuar vështirësi në raportet mes klientëve që duan të marrin kredi për banim dhe bankave. Të dyja palët hezitojnë, ndërsa sektori i ndërtimit po kalon një periudhë aspak të mirë. Teksa klientët po përpiqen që të gjejnë zgjidhje inteligjente për të garantuar skemat e financimit të apartamenteve të tyre, bankat kanë reduktuar afatet e dhënies së kredive, duke u prirë që t’i japin për periudhat 10-15 vjet, dhe jo si dikur, që arrinin deri në 25 vjet. Po ashtu, një tjetër problem për klientët është edhe shtimi i dokumentacionit apo skemave të garancisë për t’u miratuar kredia.
Edhe Banka Qendrore i jep këto sinjale përmes të dhënave zyrtare, sipas të cilave nuk ka rritje të kreditimit për blerje shtëpie në këtë periudhë krahasuar me vitin e kaluar, ndonëse ka një potencial të madh kërkesash.
Shumat dhe afatet
Nëse deri në mesin e vitit të kaluar kishte banka që financonin edhe 100% të vlerës së blerjes, sot, në rastet më të mira (dhe të rralla) financimet shkojnë deri në 80%. Për huat në lekë, mesatarja e financimit në tregun bankar është rreth 70%, ndërsa për huat në euro, disa banka e kanë ulur normën e financimit deri në 60%.
Ekspertët, por edhe specialistët e bankave, thonë se po vihet re edhe një fenomen tjetër; kreditimi me një kthim afatshkurtër apo afatmesëm që gjeneron një të ardhur më të afërt për bankën, në krahasim me një investim afatgjatë. Tjetër arsye e rëndësishme është rreziku kreditor i parashikuar, që për një periudhë afatshkurtër apo afatmesme është më i parashikueshëm sesa për një periudhë afatgjatë.
Element tjetër nga krahu i ofertës është rritja e normave të interesit veçanërisht në euro, megjithëse ky është realitet i verifikuar prej muajsh për produktet kreditore në tërësi. Normat e interesit në euro kanë arritur mesatarisht në 9%, nga rreth 7% që kanë qenë para se sistemi të prekej nga kriza e depozitave, ndërkohë që normat e interesit në lekë janë më të qëndrueshme në nivelin 12%-13%.
Duke parë situatën dhe analizuar të dhënat në sistemin bankar, ndryshimet e kushteve apo afatit në kredinë për shtëpi nuk janë masa kufizuese. Kredia për shtëpi ngelet një nga produktet klasike dhe të kërkuara nga bankat, qoftë për qëllimin apo dhe nivelin e rrezikut më të ulët që mbart në krahasim me llojet e tjera të kredisë për individë.
Ndryshim profilesh
Tashmë bankat po ndryshojnë deri diku profilet apo segmentet e caktuara të tregut. Nëse deri dje kanë qenë banka të bizneseve, sot po fokusohen edhe tek individët; nëse dje kanë qenë kreditorë të sipërmarrjes, apo të blerjes së shtëpive, sot po merren edhe me kreditë konsumatore. Kjo situatë po ndryshon hartën e shijeve dhe strategjive të bankave në drejtim të klientëve të tyre. Nëse sheh portofolat e kredive dhe i krahason ato me një vit apo dy vite më parë, dalin rezultate të ndryshme. Kjo nuk lidhet thjesht me prirjet e konsumatorëve apo lançimin e produkteve në modë.
Disa banka që nuk janë marrë deri dje me kreditimin për blerje banese, sot e kanë futur një produktet e tyre, që rezulton të jetë më i suksesshmi. Disa prej këtyre bankave kanë shënuar rezultate pozitive krahasuar me vitet e kaluara, ndonëse është një periudhë e ndikuar nga kriza financiare globale.
Megjithatë, në këto muaj nuk kemi parë fushata agresive të produkteve hipotekore gjatë kësaj kohe, në ndryshim nga vitet e kaluara, ku shihje kudo oferta bankash për blerje banesash. Të gjitha palët janë në vëzhgim dhe në pritje të një momenti më të mirë.

NORMAT E INTERESIT

EURO
Nga 9% arrin në 7%

LEKË
Nga 11-12% arrin në 12-13%

BSH: Ngadalësohet kredidhënia për blerje banesash

Edhe kredidhënia për blerje banesash apo prona të tjera të patundshme është ulur në këtë vit krize. Banka e Shqipërisë thotë se teprica e kredisë për shtëpi në fund të muajit prill arriti në 95.7 miliardë lekë, me një rritje 8% krahasuar me fundin e vitit 2008. Për katërmujorin e parë të vitit 2008 rritja e tepricës së huas për blerje pasurish të paluajtshme nga individët ishte 13.6%. E njëjta tendencë vërehet edhe për ritmet e dhënies së huave të reja. Për katër muajt e parë të vitit 2009, kredia e re e dhënë për blerje të pasurive të paluajtshme nga individët ishte rreth 8 miliardë lekë, nga afro 12.5 miliardë lekë që ishte i njëjti tregues për katërmujorin e parë të vitit 2008.
Pesha e huas për blerje të pasurive të paluajtshme ndaj tepricës së huas në total, në fund të muajit prill arriti në 23.4%, me një rritje të lehtë prej 1 pikësh përqindjeje krahasuar me fundin e muajit dhjetor dhe 0.4 pikë përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky fakt pohohet edhe nga ekspertët apo oficerët e kredive nëpër bankat private. Ato pohojnë se përveç tkurrjes së planeve të individëve, edhe bankat po presin sinjale më pozitive për ekonomikë në këtë periudhë të vështirë. Po ashtu, shpresohet për një lëvizje të sektorit të ndërtimit, i cili prej disa muajsh ndodhet në gjendje të vështirë.

Frenohet kredidhënia, rritet numri i klientëve të këqij

Kreditë, në valutë të huaj dhe në lekë, të sistemit tonë bankar llogariten në 397 miliardë lekë, ose rreth 48 për qind të portofolit gjithsej. Nga këto të dhëna del se kredia gjithsej është rritur me 105 miliardë lekë në 2008-n, ose 36 për qind kundrejt vitit 2007, duke zënë 37 për qind të PBB-së ndaj rreth 30 për qind në 2007-n. Një rritje më e ndjeshme është shënuar në kredinë për bizneset, e cila ka ndikuar pozitivisht për zhvillimin e sektorit privat. Kriza po ndikon duke frenuar kredidhënien, duke e bërë atë më të shtrenjtë dhe me më shumë probleme. Për pasojë, ritmet e rritjes së kreditimit kanë ardhur në rënie prej muajit tetor 2008. Të dhënat e BSH-së tregojnë se kredia në muajin dhjetor u rrit vetëm 0.5 për qind, që konsiderohet si rritja më e vogël prej vitit 2004, kur filloi edhe kreditimi.
Kreditë në valutë përbëjnë rreth 75 për qind të kredive gjithsej. Por këto 3-4 muajt e fundit është vërejtur prirja e tkurrjes së tyre. Në muajin janar, kredia e re ne euro, ishte vetëm 45 milionë kundrejt rreth 90 milionë mesatarisht gjatë muajve të vitit 2008. Kjo shifër shënon kuotën më të ulët të dy viteve të fundit.
Tkurrje ka shënuar edhe kredia në valutën tjetër, dollarin, edhe pse kjo e fundit ka një peshë më të vogël në totalin e kredisë për ekonominë. Në janar kredia e re në këtë monedhë ishte 14 milionë dollarë. Ulja e ritmeve të kredisë në valutë vjen për dy faktorë: Së pari për shkak të presionit që kriza financiare ushtron mbi bankat tregtare për t’u kërkuar më shumë garanci burokratike klientëve, për të shmangur risqet. Së dyti, për shkak të rritjes të interesave të euros. Nga rreth 6 për qind që ka qenë interesi i kredisë në euro në fillim të vitit 2008, tani ka arritur mëse 9 për qind. Kurse kredia në lekë vazhdon të ruajë të njëjta ritme rritjeje të vitit të kaluar. Në janar 2009, kredia e re në lekë, ishte 8.67 miliardë. Kjo prirje parashikohet të vazhdojë edhe në pjesën e mbetur të vitit.
Gjatë periudhës tetor-dhjetor 2008 u vërejt një prirje tjetër negative: u rritën kreditë me probleme, ose siç quhen ndryshe, kreditë e këqija. Quhen kështu, pasi më së paku, këstet e tyre mujore nuk kthehen në afat. Në muajin dhjetor këto kredi u shtuan me 5.4 miliardë lekë, duke arritur në 26.2 miliardë lekë gjatë vitit 2008. Kjo shifër paraqet një rritje të lartë kundrejt vitit 2007 si në vlera nominale (16.3 miliard lekë) dhe relative (165 %).
Në fund të vitit 2008, kreditë e këqija zinin 6.6 për qind të volumit të kredive gjithsej kundrejt 3.4 për qind një vit më parë.

8 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›