Për 23 HEC-e vendore, tenderët në qershor për dhënie me koncesion
Në zbatim të politikës ekonomike të qeverisë shqiptare për fuqizimin e sektorit energjetik të vendit, kanë ardhur në rritje kërkesat për ndërtimin e hidrocentraleve vendore me koncesion. Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, së shpejti pritet organizimi i tenderëve për dhënien me koncesion të dhjetëra hidrocentraleve lokalë, që do të bëjnë të mundur shtimin e prodhimit të energjisë elektrike. Mes këtyre HEC-eve, që janë miratuar për t'u ndërtuar me koncesion, përfshihen pesë hidrocentralet e reja si "Suha 1”, “Rrapun 3”, “Llanga 1”, “Sotirë 1”, “Sotirë 2", për të cilët janë bërë të gjitha aplikimet nga Ministria e Ekonomisë, e cila është dhe autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion të formës "BOT" (Ndërtim, operim dhe transferim). Po ashtu, të njëjtat burime vënë në dukje se mes tenderëve koncesionarë që pritet të zhvillohen së shpejti janë edhe ato për HEC-in në përroin e Shtikës (Këlcyrë), në lumin Shushicë (Vlorë), në përroin Trebisht (Bulqizë), në rezervuarin e Thanës (Lushnjë) etj. Sipas METE-s, numri i kontratave koncesionare me firmat shqiptare dhe të huaja për ndërtimin e HEC-eve vendore arrin në mbi 50 të tilla, me shpërndarje në të gjithë Shqipërinë, të cilat janë miratuar edhe nga qeveria. Investimi total në to arrin në mbi 200 milionë euro, fuqia e instaluar në 216 MË, ndërsa kapaciteti prodhues vjetor i energjisë në 700 GWh/vit.
8 Qershor 2009