Fëmijëria vjen vetëm një herë...
Nuk është fjala që për fëmijët jetimë të kujtohemi vetëm në një ditë të vitit, siç është 20 Maji, "dita e tyre". Të gjithë ditët e vitit duhet të jenë për fëmijët, sepse për çdo njeri fëmijëria vjen vetëm një herë dhe ajo është pjesë vendimtare në jetën e tij. Realisht, në kujdesin për ta ka politika shtetërore, strategji për mbrojtjen e tyre, institucione që ofrojnë shërbime të specializuara, që synojnë integrimin përmes alternativave që krijojnë kushte sa më të ngjashme me familjen. E megjithatë, ne nuk duhet të jemi të kënaqur me atë që është bërë dhe po bëhet. Për fëmijët jetimë, gjendjen e tyre sociale, ne, shoqëria civile, komuniteti dhe shteti asnjëherë nuk duhet të jemi të kënaqur, aq më shumë të vetëkënaqur. Fëmijët janë prioritet për të gjithë; për familjen, shtetin, komunitetin, shoqërinë. Natyrisht, në mënyrë të veçantë janë në vëmendje fëmijët, që për shkaqe të natyrës biologjike, sociale apo arsye të tjera janë jetimë. Asnjëherë nuk ka qenë kaq impresivë sa sot sensibiliteti social për të drejtat e fëmijëve në shoqërinë tonë. Padyshim, është një nga shenjat e sigurta të pjekurisë qytetare, që tashmë nuk e shikon më këtë problem si të veçantë e të ndarë nga detyrimet e tjera sociale. Qëndrimi ndaj fëmijëve, ndaj të drejtave të tyre, garantimi pa kusht i integritetit, është shenjë e ndikimit pozitiv të presionit social, ndaj të gjithë aktorëve, strukturave sociale moshore që merren me ta. Megjithatë, ende shoqëria jonë është peng i konceptimeve të vjetra sociale, që problemin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, e konsideron ende si ekskluzivitet të strukturave sociale të shtetit dhe jo si obligim madhor qytetar të shoqërisë civile. Shikoni se ç‘po ndodh me fëmijët, në sytë tanë. Braktisen në maternitet nga nëna të papërgjegjshme, të cilat i lënë në anonimatin fatal biologjik. Po shtohen së tepërmi rastet e fëmijëve të braktisur nga nënat që "sigurojnë martesë" të re, duke kërkuar që ata të sistemohen në institucione të përkujdesit social, e duke i lënë madje, "të drejtën shtetit", që të sigurojë për ta familje birësuese, adoptuese apo kujdestare. Këto fenomene, tani nuk janë më as të shkëputura e as sporadike dhe nuk përbëjnë fenomen social. Braktisja e fëmijëve është dukuri sociale shqetësuese, që tashmë nuk mund të përballohet vetëm me kujdesin e shtetit apo të institucioneve të përkujdesit social. Presioni i fenomenit të braktisjes, të plotë apo të pjesshme të fëmijëve, është bërë dukuri shqetësuese, që duhet të preokupojë të gjithë, shtetin, pushtetin vendor, familjen dhe shoqërinë civile. Por nuk është vetëm ky fenomen që ka prekur padrejtësisht fëmijët. Krahas me të, janë zhvilluar edhe dukuri të tjera, si angazhimi i tyre në punë të këqija, shfrytëzimi për punë jashtë moshore, prostitucion dhe lypje. Ka një rritje të dukshme të fëmijëve që qëndrojnë në rrugë (jo rrugaçë) dhe janë të ekspozuar ndaj rrezikut social, mundësisë për trafikim dhe abuzim fizik, psikik e seksual. I gjithë ky realitet social i fëmijëve është shqetësues dhe objektiv i madh për të gjithë. Nuk është se nuk kemi struktura sociale, që kanë detyra dhe mbajnë përgjegjësi për mbrojtjen e fëmijëve në rrezik. Ka, madje edhe të specializuar dhe impakt të gjerë social. Në mentalitetin ende sundues të shoqërisë, shfaqet dukshëm prirja që e konsideron shtetin si të vetmin faktor me përgjegjësi. Mirëpo është fare naive të mendohet se shteti, sado "paternalist" të jetë dhe sado ta ketë "dimensionin social", nuk mund të plotësojë të gjitha nevojat e shumta të fëmijëve. Do të ishte koncept fare primitiv, madje i pamundur, zgjidhja e problemeve vetëm me trajtim rezidencial. Nëse ka një problem që duhet ndryshuar është shmangia e veprimit dhe e strategjive paralele, të të gjithë institucioneve që kanë detyrim social për fëmijët, duke ndërtuar një veprim me kompakt social, nisur nga obligimi i familjes për të qenë e detyruar të tregojë kujdes ndaj të drejtave të fëmijëve, pa i shfrytëzuar ata, e deri te strukturat rendit dhe të ligjit për të penalizuar pa hezitim abuzuesit. Doemos, në qendër të punës sonë është vënia në jetë e strategjisë së qeverisë, e cila e ka të mbështetur politikën e saj të mbrojtjes së fëmijëve në veprimin e kompaktësuar social, të gjithë strukturave që kanë role e përgjegjësi. Sidomos procese të tilla me përmasa të mëdha, si decentralizimi i shërbimeve për fëmijët jetimë, kalimi i institucioneve të përkujdesit social në varësi të pushtetit vendor, krijimi i shërbimeve të de-institucionalizuara me bazë komunitare, fillimi i shërbimit të kujdestarisë dhe aplikimi i procesit të birësimit ligjor të fëmijëve jetimë, synojnë të krijojnë një sistem të ri të mbrojtjes së fëmijëve nga rreziqet sociale. Koha kërkon që të gjithë ne, aktorët dhe faktorët që kemi përgjegjësi morale, shtetërore e ligjore duhet të bëjmë gjithçka, por jo vetëm në një ditë të tyre, jo vetëm më 20 maj, sa për "show" publik e mediatik. Fëmijët nuk ndihmohen me demagogji e veprimtari sociale për bujë, por me punë të vazhdueshme, të përditshme, të pandërprerë, me shpirt, profesionalizëm e humanizëm. Bashkëveprimi më kompakt i politikave, strukturave të shtetit, institucioneve të kujdesit social e të shoqërisë civile, bashkë me opinionin publik, do të ndikojnë për të krijuar atë që u duhet në këto momente fëmijëve jetimë, një "front të qëndrueshëm social", që është garanci për ta dhe mbrojtjen e tyre nga rreziqet e shumta që i kërcënojnë. Aktualisht, në praktikën e shërbimeve sociale në Shqipëri janë në përdorim të gjitha tipologjitë e shërbimit modern, po zbatohen në rrugë ‘pilot‘ apo masivisht praktikat e mira të shërbimit ndaj tyre, janë hartuar të gjitha standardet dhe manualet e shërbimit që garantojnë shërbim social cilësor, po krijohen modele të reja të shërbimit bashkëkohor si "shtëpi familje", qendra ditore, shërbime komunitare që po tentojnë shërbim të personalizuar. Së shpejti do të fillojë edhe shërbimi i kujdestarisë për fëmijë. Megjithatë, në këtë ditë të tyre, jemi të ndërgjegjshëm që nuk kemi bërë gjithçka dhe me siguri që u jemi "borxhlinj". Mbase, ka diçka që duhet përmirësuar më shumë në "mekanizmin e mbrojtjes" së fëmijëve jetimë. Duhet ta bëjmë të ndikojë më mirë në veprimin e integruar social të familjes, shtetit, komunitetit, shoqërisë dhe institucioneve specifike të përkujdesit social, për të siguruar "veprimin e integruar" të tyre. 2008-a është vit i provës vendimtare në zbatimin e politikave të reja për mbrojtjen e fëmijëve, sepse çdo ditë "sistemi i mbrojtjes" së tyre po bëhet më i gjerë, më masiv dhe modern. Tani është momenti që e gjithë shoqëria shqiptare t‘i kthejë sytë dhe kujdesin nga fëmijët. Ata nuk mbrohen me shmangie të përgjegjësisë. E natyrisht, duke filluar nga familja. Sepse fëmijëria vjen vetëm një herë në jetën e gjithsecilit…