E Diel, 1 Nëntor 2026

Aeroporti Nënë Tereza, i hapur vetëm për dy linja

TIA: Lejohen udhëtimet drejt Stambollit dhe Athinës

Reja e krijuar nga hiri vullkanik që shpërtheu në Islandë po sjell pasoja edhe për Shqipërinë, për shkak të linjave transit të bllokuara në të gjithë Europën. Të dhënat zyrtare nga “Tirana Aeroport Partners”, që menaxhon aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, gjatë ditës së djeshme thonë se janë lejuar të udhëtojnë vetëm avionët e linjave drejt Stambollit të Turqisë dhe Athinës në Greqi. Pra, lejohen për momentin vetëm linjat drejt jugut, ndërsa të gjitha transportet e tjera në destinacion veriun apo qendrën janë të bllokuara. Zyrtarisht deklarohet se janë pezulluar gati 30 destinacione, ku 10 u shtuan dje, pas përkeqësimit të situatës në veri të Europës. Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku, tha për “Shqip” se është duke u monitoruar me shumë kujdes situata, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Trafikut Ajror. “Duhet të sqaroj se situata e krijuar me pezullimin e fluturimeve nuk varet shumë nga ne, si institucion apo si vend, sesa nga shtetet e tjera, ku ndalohet transiti për shkak të resë së vullkanit. Jemi duke parë nga afër në çdo munit të dhënat e meteorologjisë dhe mendojmë se gjendja do të përmirësohet në ditët e ardhshme”.

Linjat e bllokuara

Sinjalet e para të bllokimit të të vetmit aeroport në vend, “Nënë Tereza”, u dhanë në datën 16 prill, me urdhrin për pezullimin e fluturimeve drejt Londrës dhe Budapestit. Si linja që përdoren masivisht për transit nga shoqëritë ajrore, impaktet negative ishin të konsiderueshme. Shumë pasagjerë ishin të painformuar për pezullimin e flurimeve për këto destinacione, ndërsa shumë të tjerë kishin frikën e rimbursimit të biletës. Në datën 17 prill, situata përkeqësohet me shtimin e të tjera linjave, në vendet e të cilave reja nga hiri i vullkanit kishte prekur qiejt. Në këtë datë, që i bie ditën e shtunë, TIA njofton se fluturimet direkte për në Londër, Budapest, Vjenë, Mynih, Shtutgart, Bolonjë, Milano, Trevizo, Verona, Frankfurt, Lubjanë, Rimini, Genova, Torino dhe Prishtinë janë anuluar plotësisht për shkak të hirit në zonën e Islandës, si rrjedhojë e vullkanit që shpërtheu ditën e mërkurë, më 14 prill 2010. Hiri i vullkanik është përhapur në pjesën veriore të Europës. Ndërkohë, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës njofton se fluturimet e planifikuara për në Romë, Athinë, Bari, Stamboll kanë operuar normalisht nga TIA. “Pasagjerët që kanë fluturime transit, këshillohen të kontaktojnë linjat ajrore përkatëse për informacion të mëtejshëm në lidhje me udhëtimin e tyre”, është njoftimi i aeroportit ndërkombëtar. Dita e djeshme ishte fatale, pasi bllokoi edhe linjat e mbetura me Italinë, ndërsa nuk ka një datë të caktuar se kur do të lirohet rruga. Aktualisht në aeroportin ndërkombëtar operojnë dymbëdhjetë linja ajrore, të cilat e lidhin kryeqytetin me 33 destinacione të ndryshme.

Veriu i prekur?

Të dhënat sporadike nga agjenci të ndryshme ndërkombëtare, duke iu referuar hartave, tregonin se një pjesë e Shqipërisë, veriu, rrezikonte të prekej nga reja e vullkanit. Duke qenë se Kosova dhe Mali i Zi ishin përfshirë nga hiri, afrimi deri në pjesën e Drinit në Shqipëri ishte i mundur, por kushtet klimaterike nuk e lejuan një gjë të tillë. “Era e fryrë nga jugu drejt veriut na ka favorizuar për të zbutur efektet e vullkanit, ndërsa parashikohet normalizim gjatë ditëve në vazhdim”, informuan për gazetën nga Agjencia Kombëtare Ajrore (ANTA).

Ndërkaq, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, nga ora 14:00 e ditës së djeshme është hapur për të gjitha destinacionet ajrore që vijnë në Prishtinë. Sipas zëdhënësit të aeroportit, Altin Ahmeti, rreziku për mbylljen sërish të aeroportit mund të përsëritet ditën e martë dhe të mërkurë. Ai bën të ditur se hiri vullkanik i Islandës, sipas qendrës meteorologjike në Francë dhe Britani të Madhe, ka devijuar nga erërat dhe nuk është futur në Kosovë, ashtu siç pritej. Vetëm gjatë ditës së shtunë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës u anuluan mbi 40 fluturime që kishin si destinacion vendet europiane.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›