E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama do që ta marrë pushtetin me çdo kusht

Haxhinasto

“Qeveria e pykave”, si përshkrim i Edi Ramës për ekzekutivin shqiptar, mund të jetë një shenjë për ndryshimin e filozofisë politike të tij. Numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, deklaroi dje për “Shqip” se sulmet verbale të kreut të PS ndaj drejtuesit të LSI, Ilir Meta, përgënjeshtrojnë retorikën e politikës së re. “Ndoshta z. Rama ka harruar atë që thoshte disa muaj më parë, për mospërbaltjen si pjesë e risisë së politikës së re dhe i është kthyer filozofisë së marrjes së pushtetit me çdo kusht. Vetëm se z. Rama harron që demokracia ka rregulla”, deklaroi Haxhinasto. Me fjalët e cituara, numri dy i LSI ka dhënë një qëndrim rreth atij që mund të konsiderohet edhe si portreti i ri politik i Edi Ramës; larg toneve të përmbajtura në adresë të personit, edhe pse duhet thënë se ai mbetet një prej politikanëve më korrektë në këtë drejtim. Nga ana tjetër, rishfaqja e sulmeve të PS ndaj Metës është diçka që përsëritet periodikisht, por që së fundmi vetë Rama e kishte shmangur. Një reagim i ftohtë ka ardhur edhe sa i përket “rikthimit” në PS të disa ish-emrave të njohur të LSI e që u përshëndetën dje në Kongresin e PS nga vetë kreu i saj. “Ne jemi një parti e hapur dhe moderne që bazohet në bashkimin vullnetar”, u shpreh Haxhinasto, duke iu referuar mbërritjes së kolegëve të tij të dikurshëm të LSI-së në stacionin politik të selisë rozë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›