E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi, mes përplasjesh dhe festash alkoolike

Situatë e ndezur te Çelsi midis trajnerit Luis Felipe Skolari dhe Xho Kol. Lojtari nuk e ka përtypur zëvendësimin në minutën e 84-t të sfidës së të shtunës ndaj Southend në "FA Cup" dhe, sipas "Daily Star", ka refuzuar t‘i shtrëngojë dorën trajnerit në momentin e largimit nga fusha, duke shfryrë mllefin gjatë futjes së tij në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes. Kjo ishte hera e parë që Skolari e zëvendësonte. Kol dëshiron tani një takim me Skolarin për të kuptuar se cilat janë synimet reale të trajnerit në lidhje me të dhe a është ai një zgjedhje e parë apo jo. Në valle është edhe e ardhmja e lojtarit të "Blues", i cili, në bazë të përgjigjeve që do të marrë, do të vendosë se çfarë do të bëjë. Kontrata e tij skadon pas një viti e gjysmë dhe palët kishin rënë dakord se do të uleshin të diskutonin verën e ardhshme për një rinovim të mundshëm. Por tani, skenari mund të ndryshojë. Për lojtarin kanë shfaqur interes të madh Mançester Siti e Totenhem. Pas ndeshjes së "FA Cup", skuadra e Çelsit mori pjesë në festën e Uejn Bridge, i cili do të largohet drejt Mançester Sitit. Festa ka zgjatur deri në orën katër të mëngjesit. Sipas një burimi të rezervuar, tavolinat e tyre ishin të mbushura me pije alkoolike, duke filluar nga vodka e deri te shampanja. Bridge dhe Xhon Terri më pas kanë provuar fatin në një kazino afër lokalit, ku kishin kaluar natën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›