E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aeroporti, banorët duan paratë

 

KUKES - Shpronësimet për aeroportin e Kukësit ende nuk kanë përfunduar, ndonëse tre vite më parë u dha një fond prej 3 miliardë lekësh. Janë 10 familje nga fshatrat Nangë dhe Shtiqën, të cilat nuk kanë marrë lekët e shpronësimeve për tokat që ka zënë ky aeroport. Ky problem konsiderohej i mbyllur nga autoritetet lokale, Drejtoria e Aviacionit Civil në Ministrinë e Transporteve dhe Ministria e Financave, që kur tre vite më parë dhanë fondin e mësipërm. Shefqet Doçi është një nga banorët e fshatit Nangë, i cili nuk është shpronësuar ende. Sipas tij, ai dhe disa bashkëfshatarë të tjerë, që në vitin 2005 disponojnë certifikatat e pronësisë. Por sorollatjet nëpër zyrat e shtetit, kanë penguar marrjen e parave, për një pronë, sipas tij, legjitime. “Banorët kanë paraqitur gjithë dokumentacionin, që duhet deri edhe në drejtorinë e aviacionit civil, por nuk kanë marrë përgjigje”, u shpreh Doçi. Prej dy vitesh, punimet kanë përfunduar, dhe aeroporti është gati të presë avionët. Por Ministria e Transporteve ende nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me koncesionarët e Aeroportit të Rinasit.     j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›