E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Gra, mësoni të mbroheni nga kanceri i gjirit!

 

FIER - Nën petkun e gruas së suksesshme në karrierë dhe me një temë prekëse, siç është sëmundja e kancerit të gjirit, kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka takuar dje gratë e Myzeqesë për të folur mbi planet e qeverisë në këtë drejtim. Pas disa takimesh me gra që drejtojnë biznese të ndryshme në këtë zonë, Topalli i ka mbledhur bashkë me drejtuese institucionesh e qytetare për t’u folur për një nga shqetësimet që do të jetë prioritet i qeverisë “Berisha”. Sipas saj, lufta kundër kancerit të gjirit do të mbështetet nga qeveria me fonde që do të shpërndahen në drejtime të ndryshme, si në spitale, klinika dhe në pajisjen e qyteteve të tjera me aparate mamografie. “Ju jap katër mesazhe që të mbroni të ardhmen nëpërmjet jetës së shëndetshme të grave. E para, vetë ju duhet të vizitoheni edhe atëherë kur gjërat me shëndetin tuaj shkojnë mirë. Së dyti, dua t’u kërkoj vëmendje burrave-bashkëshortë që të mos qëndrojnë indiferentë, por të mbështesin gratë e tyre, sepse çdo vit kjo sëmundje ha jetë të pafajshme, duke u kthyer në makth për shoqërinë. Gjithashtu, mjekët e familjes duhet të jenë të kujdesshëm për të pikasur në kohë sëmundjen. Së fundi, do të doja t’u bëja thirrje të gjithë shoqërisë që të mbështesë gratë, pasi e kanë treguar se ato i japin kuptim shoqërisë në të gjithë mënyrat dhe me të gjitha ngjyrimet”. Topalli mbërriti dje në Fier në vijim të turit të saj në vend për inkurajimin e grave në shoqëri.     m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›