E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Naim Frashëri", festë madhështore për jubileun

 

ELBASAN/ ALDO KOZARJA

“Naim Frashëri”, shkolla e parë zyrtare shqipe në Elbasan mbush 100 vjeç. E themeluar në vitin 1908, dijet e transmetuara prej saj, në gjuhën amtare, janë përcjellë brez pas brezi në mijëra nxënës. Dita e djeshme ka qenë një festë e vërtetë në këtë përvjetor shekullor. Numri i madh i pjesëmarrësve në festë ka bërë që të gjithë të zhvendosen në ambientet e teatrit “Skampa”. Mësues të shkollës 9-vjeçare, ish-arsimtarë, nxënës e prindër bashkë me përfaqësues vendorë e politikanë, janë mbledhur në këtë eveniment. Protagonistë kanë qenë ish-nxënësit e dalluar dhe mësues të kësaj shkolle, që sot janë pjesë e universitetit “Aleksandër Xhuvani”, si: profesorët Mehmet Çeliku, Kujtim Bevapi, Astrit Bishqemi etj. Binte në sy dhe prezenca e “Artistit të Merituar”, Demir Hyskja. Kryebashkiaku Qazim Sejdini u shpreh se ishte i emocionuar të fliste në një ceremoni të tillë sinjifikative. “Viti 2008 është vit i ndryshimeve të kulturës e arsimit. Së shpejti do të kremtojmë dhe 100-vjetorin e Normales së Elbasanit dhe për këtë ndihem krenar. Në shkollën ‘Naim Frashëri’ janë përgatitur e formuar me mijëra nxënës që sot janë në majat më të larta të Elbasanit, por dhe jashtë tij, që i kanë dhënë qytetit vlera madhështore. Dua të shpreh falënderime për të gjithë ata që punojnë për formimin e brezave të rinj dhe përhapjen e kulturës në fushën e arsimit”, u shpreh Sejdini. Ndërsa ish-mësuesi Ibrahim Dakli, në pamundësi për të qenë pjesëmarrës në këtë jubile ka dërguar nga Italia një letër, nëpërmjet së cilës transmetonte nostalgjinë për vitet kur ishte pjesë e kësaj shkolle. Më tej kanë përshëndetur mësuesi i merituar, Sami Domi, ndërsa nga Spanja mbërriti për të përshëndetur dhe ish-mësuesja Armela Dino, apo ish-nxënësja, prezantuesja e njohur, Rudina Magjistari. Drejtori aktual, Arjan Papleka, theksoi se është i nderuar që është drejtues dhe kontribuues për rritjen e brezave të rinj në shkollën “Naim Frashëri”. “Jemi përpjekur të ruajmë traditën e mësimdhënies, kulturën dhe gjithçka pozitive që kanë pasur ish-mësuesit dhe drejtuesit e kësaj shkolle dhe kam bindje që deri tani emrin e shkollës së parë shqipe në Elbasan kemi ditur ta nderojmë ashtu siç duhet”. Vlerësimet për këtë shkollë kanë ardhur dhe nga drejtoresha e Arsimit në Elbasan, Mimoza Matraxhiu, e cila pohoi se “Naim Frashëri” është një shkollë ndër më të mirat në rreth, ku mësojnë nxënës me nivel të lartë, kjo falë dhe stafit shumë të mirë të mësuesve. Shkolla “Naim Frashëri” është hapur më 2 gusht 1908, duke pasur 50 nxënës dhe mësuesit e parë që firmosën historinë e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›