E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Dhoma miratoi planin financiar 700 miliardësh

 

Pas dy javësh diskutimesh dhe shpesh deri në kalime në konflikte emocionale, plani historik federal për përmirësimin e sistemit financiar në SHBA u miratua pasditen e djeshme edhe në Dhomën Përfaqësuese. Të mërkurën plani u votua në Senatin amerikan dhe e mori miratimin e ligjvënësve një orë pas fjalimit të Presidentit Bush, ku bëri thirrje për emergjencën e miratimit të këtij plani për të mbrojtur interesat e vendit. Projektligji në Senat i shtoi edhe rreth 100 miliardë dollarë taksa të reja planit 700 miliardë dollarësh, me shpresë që të fitojë mbështetjen e sa më shumë republikanëve në Dhomën Përfaqësuese. Dhoma Përfaqësuese e miratoi planin me 263 vota pro dhe 171 kundër. Presidenti Bush shfaqi entuziazmin e tij për miratimin e planit edhe në ligjvënësit e Dhomës Përfaqësuese, të cilët vetëm pak ditë më parë e dështuan këtë plan. Bush e dekretoi planin duke e kthyer në ligj vetëm pak orë pas miratimit në votimin e djeshëm në Dhomën Përfaqësuese amerikane. Sipas shifrave menjëherë pas votimit, në favor të planit votuan 172 demokratë dhe 62 e kundërshtuan, ndërsa nga republikanët 91 votuan pro planit dhe 108 e kundërshtuan atë. “Duke e miratuar këtë plan së bashku, në kemi vepruar drejt për të parandaluar që kriza e Wall Street të kthehet në një krizë për të gjitha komunitetet në vendin tonë”, tha Bush. Dhoma Përfaqësuese votoi edhe një herë pas lobimit të nxitur nga Shtëpia e Bardhë dhe mbështetës të tjerë të planit, pas refuzimit të një mase të tillë të hënën e kësaj jave, një refuzim që shokoi tregjet dhe liderët e Kongresit. Ky legjislacion, që i lejon Sekretarit të Thesarit të marrë më shumë se 700 miliardë dollarë blerje në asete të dështuara në përpjekje për t’i dhënë një nxitje zhvillimit të institucioneve financiare, shënon ndërhyrjen më të madhe investimi të menjëhershëm në ekonomi në dekadat e fundit. Sekretari i Thesarit, Henry Paulson tha se ai do të veprojë me “metodikë” për zbatimin e planit. “Autoritetet e përfshira në këtë legjislacion, kur kombinohen me autoritetet ekzistuese rregullatorë, na japin aftësinë për të mbrojtur dhe rikapitalizuar sistemin tonë financiar, ndërsa ne punojmë mes tensionit të tregjeve tona të krediteve”, tha Paulson. Nga republikanët pas votimit të dështuar të së hënës, kësaj radhe u shtuan 26 vota më shumë në favor të ligjit, ndërsa nga demokratët votuan pro planit 32 përfaqësues më shumë. Shumë nga përfaqësuesit e vjetër të Dhomës amerikane deklaruan, se ky mund të përkufizohet si votimi më i vështirë për ta për 12 vitet e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›