Leskaj prezanton programin e PS-së në Mashaj të qarkut Elbasan
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, prezantoi në fshatin Mashaj të Elbasanit programin e së majtës. Leskaj u shpreh se në programin e ri të PS-së është parashikuar të ngrihet Agjencia e Biznesit Agrar. “Programi ynë nuk është një libër premtimesh apo listë dëshirash që hartohen thjesht dhe vetëm për të marrë vota, siç bëri Berisha në ’05-n, por një program konkret, me ide dhe zgjidhje të reja”,- tha deputetja e PS-së. Ajo deklaroi se programi i PS-së është konkret dhe do t’u vijë në ndihmë jo vetëm zonave rurale, por do të përqendrohet fort edhe në zonat rurale. Sipas saj, qeveria aktuale, në vend që ta ulë korrupsionin, e ka rritur atë. “Ajo që ka ndodhur është rritja e pjacës së korrupsionit. Do të thotë që korrupsioni është rritur lart dhe është përqendruar në më pak duar, në duart e familjes së kryeministrit dhe në duart e disa qeveritarëve”,-deklaroi Leskaj. Deputetja e PS-së u shpreh se kryeministri Berisha e përqendroi pushtetin në duart e një grupi të ngushtë njerëzish, që sipas saj janë të vetmit që janë pasuruar me këtë qeverisje.
19 Maj 2009