E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta premton rimbursim për librat e arsimit të detyruar 9-vjeçar



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, premtoi dje rimbursim të të gjithë librave shkollorë të arsimit të detyrueshëm 9-vjeçar. Meta, i shoqëruar edhe nga kandidati i LSI-së për deputet në Tiranë, Ilir Dashi, takoi disa nga tregtarët e librit. Lideri i LSI-së premtoi heqjen e TVSH-së për librin. “Duke shprehur vendosmërinë e LSI-së që me fitoren e 28 qershorit të ndihmojmë librin, të ndihmojmë krijuesit, të ndihmojmë botuesit duke e bërë zero TVSH-në, për të gjitha llojet e librave, dhe jo vetëm për librat shkollorë, por edhe për librin historik dhe artistik dhe kështu me radhë”,- deklaroi Meta. Meta premtoi bërjen zero të tatimit mbi të ardhurat, mbi honoraret e shkrimtarëve. “Nuk mundet që libri të trajtohet si një aktivitet i zakonshëm biznesi”, - u shpreh Meta. Kryetari i LSI-së i quajti klieteliste projektet e ndërmarra deri tani nga Ministria e Kulturës dhe premtoi se nëse forca që ai drejton do të vijë në pushtet, do të ndjekë një politikë transparente për projektet e kësaj ministrie.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›