EURALIUS: Ministria e Drejtësisë të ndryshojë urdhrin e ri për tarifat gjyqësore
Laureta Rryçi
Tiranë - Misioni europian për sistemin e drejtësisë në Shqipëri (EURALIUS) kërkon që Ministria e Drejtësisë duhet të ndryshojë urdhrin e ri për tarifat gjyqësore. Ekspertët e huaj, nëpërmjet një studimi që kanë bërë mbi punën nëpër gjykatat tona, kanë kritikuar nismën e ministrit Enkelejd Alibeaj për dyfishimin e këtyre tarifave. Sipas tyre, shuma e tarifave gjyqësore duhet të ndahet sipas kategorive të veçanta. Ekspertët kanë dhënë dhe alternativat se si dhe në cilën pikë duhet të pësojë ndryshime ky urdhër duke dhënë edhe eksperiencën e shumë shteteve të huaja. Gazeta “Albania” ka mundur ta sigurojë të plotë këtë studim të EURALIUS-it dhe sjellë në numrin e sotëm rekomandimet që janë paraqitur në të.
Sistemi i vjetër
Sipas eksperteve të huaj, sistemi i mëparshëm i tarifave gjyqësore në Shqipëri, që është shfuqizuar me ligjin e ri të tatimeve, ishte me strukturë shumë të thjeshtë. Shuma e tarifave gjyqësore, që ka mbetur i pandryshuar që prej 10 vjetësh nga viti 1998 e në vazhdim, ishte shumë e moderuar, përgjithësisht përbëhej nga një tip tarife (1500 lekë) për të gjitha tipet e çështjeve dhe caktonte një përqindje tarife prej 1% të vlerës së padisë vetëm në lidhje me paditë civile me një vlerë prej më shumë se 100 000 lekë. Duket se ky sistem synonte ta mbante sistemin jo të kushtueshëm, të thjeshtë, transparent dhe të lehtë për t’u kuptuar dhe menaxhuar. Nuk kishte vend për vendime vlerësuese të gjykatave për tarifat gjyqësore dhe për mosmarrëveshje pasuese ligjore në lidhje me shumën e tarifës gjyqësore të caktuar. Së fundi, ai merrte parasysh faktin e njohur që një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë konsiderohet që në përgjithësi të jetë i varfër. Këto karakteristika strukturore të sistemit të tarifave gjyqësore në thelb nuk duhet të ndryshojnë, pasi idetë ku ato mbështeten vazhdojnë edhe sot të jenë të vërteta dhe të arsyeshme. Urdhri i ri i tarifave (datë 12.2.2009) nuk e ka ndryshuar këtë strukturë, por thjesht ka dyfishuar shumën e tarifave duke caktuar që rregullisht duhet të paguhen 3000 lekë për të depozituar një padi. Për disa çështje kjo shumë nuk është aspak e përshtatshme, por është shumë e lartë në lidhje me gjendjen ekonomike për shumë qytetarë shqiptarë. Po kështu, duhet të shihet mundësia për të ndryshuar urdhrin e ri gjyqësor duke prezantuar tarifa të ndryshme gjyqësore, në varësi të gjendjes sociale dhe ekonomike të qytetarëve që duhet ta paguajnë atë dhe të aftësisë së tyre për të paguar tarifat.
Problemet
“Duket se është një fenomen i përhapur në Shqipëri që paditësit përpiqen të gjejnë gjyqtarin e ‘përshtatshëm, më të favorshëm’ për çështjen e tyre dhe nëse shorti cakton gjyqtarin që nuk përmbush kriteret e tyre, ata e tërheqin padinë vetëm me qëllim që të provojnë fatin përsëri duke ngritur të njëjtën padi dhe për të parë nëse shorti këtë herë cakton një gjyqtar më të përshtatshëm”, - thuhet në raportin që kanë përpiluar ekspertët e huaj. Sipas tyre, në lidhje me shumën specifike të tarifave të gjykatave, çështje kritike, natyrisht, është që
tarifat nuk duhet të jenë aq të larta sa të rrezikohet mundësimi i drejtësisë. Ekspertët kanë shpjeguar me argumente se kjo çështje është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me situatën ekonomike, veçanërisht me pagën minimale mujore dhe pagën mesatare mujore. Në lidhje me problemin e mundësimit të drejtësisë duhet të merret parasysh që në rastin e veçantë të Shqipërisë një sistem eficient i ndihmës ligjore, një sistem për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve (ADR) dhe një sistem eficient Ndërmjetësimi nuk ekzistojnë akoma. Po kështu, të huajt kanë evidentuar se në Shqipëri nuk ekziston sigurimi i pjesëmarrjes në gjykim, që do të mund të lehtësonte barrën financiare të shkuarjes në gjykatë. Kështu barrierat e mundësimit të drejtësisë që ngrihen nëpërmjet ngritjes së tarifave gjyqësore nuk zvogëlohen nëpërmjet formave të tjera të zgjidhjes së konflikteve që do të mundësonin që shkuarja në gjykata nuk do të ishte e vetmja mënyrë për të marrë drejtësi ose që do të lironte paditësin nga barra e tarifave gjyqësore nëpërmjet sigurimit. “Kjo do të thotë që shuma e tarifave gjyqësore të vendosura është tepër sensitive dhe po ashtu faktori më i rëndësishëm në lidhje me mundësimin e drejtësisë. Kështu që çdo rritje duhet të trajtohet me kujdes”, - thuhet në raport.
Boc
Tarifat gjyqësore ngarkohen për: tarifa në lekë:
1. Veprimet administrative të kryera nga gjykatat
- Lëshimi i vërtetimeve të gjendjes gjyqësore
Legalizimi i akteve noteriale nga Ministria e Drejtësisë
etj. 200
Tarifa të tjera për kopjet e bëra nga gjykata, për njoftimet mund
të shtohet këtu 200
2. Depozitimi i një padie në gjykatë
2.1. Tipet e paditësve që në përgjithësi përjashtohen nga
pagesa e tarifave gjyqësore (me paraqitjen e provave
shkresore, që ata e gëzojnë këtë status sipas ligjeve përkatëse):
- Invalidët (paaftësi për punë e vërtetuar)
- Përfituesit e përfitimeve të asistencës
- Personat e verbër
- Veteranët e luftës
Pa pagesë
2.1. Tipet e çështjeve që janë të përjashtuara nga tarifat gjyqësore
(nuk ngarkohet tarifë për depozitimin e një padie për çështjet e
mëposhtme):
- Çështjet e së drejtës së punës
- Çështjet e së drejtës familjare (përveç çështjeve të
divorcit)
- Çështjet e sigurimeve shoqërore
(Pensionet ushqimore, pagesat e asistencës/përfitimeve
sociale)
Pa pagesë
2.3. Tipet e çështjeve me një tarifë të përgjithshme të pakësuar fikse:
- Çështjet e Divorcit
- Çështjet e së drejtës administrative
(- duke përfshirë paditë për zhdëmtimin/kompensimin
bazuar në përgjegjësinë shtetërore
- por nuk përfshin çështjet administrative për lejet e
ndërtimit) 1.900
Boc
Rekomandimet e EURALIUS-it
Pjesa e shpenzimeve nga Buxheti i Shtetit për gjykatat shqiptare duhet të rritet gradualisht deri në 1%
Deri në 20% të shpenzimeve të Sistemit Gjyqësor duhet të mbulohen
nëpërmjet vjeljes së Tarifave Gjyqësore
Të ardhurat nga vjelja e tarifave gjyqësore duhet të dërgohet drejtpërdrejt dhe 100% në Buxhetin Gjyqësor
Tarifat e mëparshme gjyqësore të tabelës së vitit 1999 duhet të paktën të rriten për përshtatje inflacioni (rreth 23%), por nuk duhet të rriten në përgjithësi me 100% siç ka ndodhur me rastin e tabelës së tarifave të reja
Tarifat gjyqësore duhet të ndryshojnë në pajtim me Masën e Punës që kërkohet nga Gjykata. Kështu mund të ketë tarifa të ulëta për vendimet gjyqësore paraprake
Tarifat gjyqësore duhet të përcaktohen jo vetëm me një shumë të prerë ose përqindje të prerë, por me përqindje zbritëse në lidhje me vlerën e padisë për të mënjanuar tarifat tepër të larta
Të paktën për vlerat e padisë deri në 35 000 lekë (që është afërsisht e ardhura mesatare mujore) një tarifë e përgjithshme prej 3000 lekë (që është afërsisht e ardhura mesatare e tri ditëve pune) duket se është shumë e lartë dhe ngre shqetësimin në lidhje me përputhshmërinë e parimit të mundësimit të barabartë të drejtësisë.
Për tipe të caktuara padish (mosmarrëveshje tregtare, mosmarrëveshje administrative për lejet e ndërtimit) tarifat e gjykatave duhet të jenë shumë më të larta për shkak të pozicioneve të forta ekonomike të përfshira
Sistemi i Tarifave Gjyqësore duhet të parashikojë Përjashtime të veçanta ose ulje të tarifave gjyqësore për tipe të caktuara padish dhe tipe të caktuar paditësish për të garantuar mundësimin e barabartë të drejtësisë për personat ekonomikisht të dobët dhe në nevojë
Rregullorja e tarifave gjyqësore duhet të parashikojë mundësinë e
përjashtimit, uljes ose pagesës me këste në çështje të jashtëzakonshme
Përjashtimet për tarifat gjyqësore (pjesë nga raporti)
...Mund të identifikohen disa tipe padish për të cilat mund të vihen vetëm tarifa shumë të ulëta gjyqësore apo që mund të mos vihen fare. Këto mund të ishin rastet për të cilat paditësit janë në një pozicion të dobët shoqëror si në çështjet e zakonshme të së drejtës së punës, së drejtës familjare dhe çështjet e shkurorëzimit (nëse nuk bëhet fjalë për pasuri të mëdha të çifteve që ndahen) çështje mbi fondet e sigurimeve sociale dhe pensioneve. Një shembull për këto dallime jepet në përjashtimin
e mëparshëm nga tarifat gjyqësore për mosmarrëveshjet e së drejtës së punës në rastin e humbjes së punës dhe paditë për pensionet ushqimore dhe nga përjashtimi i tarifave të ekzekutimi të pagesave për detyrimet ushqimore. Për më tepër, në përgjithësi duhet të jepet një tarifë e reduktuar taksative gjyqësore për
mosmarrëveshjet administrative (përveç padive në lidhje me lejet e ndërtimit tej një vlere të caktuar), pasi qytetarët që u nënshtrohen vendimeve dhe urdhrave të autoriteteve shtetërore nuk duhet të pengohen nga një tarifë e lartë gjyqësore nga pretendimi i të drejtave të tyre të ligjshme nga institucionet shtetërore dhe për depozitimin e padive kundër organeve administrative. E njëjta vlen për paditë për shkaktim dëmi dhe kompensim kundër shtetit bazuar mbi përgjegjësinë shtetërore, për shkak se në këto çështje shteti nuk do të marrë me një dorë atë që do të japë me tjetrën. Nëse u referohemi tipave të paditësve, disa mund të përjashtoheshin nga tarifat gjyqësore që nga fillimi. Këta mund të jenë ata njerëz që marrin paga minimale, që marrin vetëm pensione shtetërore ose mbështetje dhe përfitime sociale dhe që mund ta vërtetojnë këtë duke paraqitur dokumentet përkatëse. Në lidhje me këtë grup njerëzish, mund të merren si referencë rregullat e përjashtimit sipas parashikimit në Ligjin e
Tarifave Kombëtare (Neni 9, invalidët e punës, veteranët e luftës, personat e verbër). Në këto raste, natyrisht që statusi përkatës i privilegjuar duhet të vërtetohet me prova
shkresore sipas ligjit përkatës social...
Tarifat gjyqësore, përvoja e shteteve të huaja
Për tipet e çështjeve me një lidhje të dukshme me nevojat sociale, si çështjet e divorcit dhe çështjet e punës, në shumë vende tarifat gjyqësore nuk vihen ose vetëm në një shkallë të ulët. Kjo duket se është e vërtetë edhe në çështjet administrative. Në lidhje me shumën absolute të tarifave gjyqësore të caktuara për çështjet e zakonshme civile janë shumë të larta në Skoci, Angli & Uells, Austri, Gjermani, Estoni
dhe Holandë. Në këto vende tarifat gjyqësore arrijnë një përqindje ndërmjet 2% dhe 3% të vlerës së padisë së depozituar.
19 Maj 2009