E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: “Shqipëria del nga kriza nëse largohet Berisha”



Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka vijuar turin elektoral në qytetin e Kuçovës. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim Gjinushi tha se fituesi i zgjedhjeve të 28 qershorit do të jetë koalicioni “Bashkimi për ndryshim”. Sipas tij, kjo fitore do ta çojë vendin drejt zhvillimit të duhur dhe integrimit me dinjitet. Kreu i Partisë Socialdemokrate tha se Shqipëria do të dalë nga kriza vetëm nëse shkaktari i saj, kryeministri Sali Berisha, do të largohet nga drejtimi i vendit. “Shqipëria është në gjendje të dalë nga kjo krizë, por duhet vetëm një gjë, të largohet kjo qeveri dhe ky kryeministër që është shkaktar i krizës. Me një qeverisje normale, me një qeverisje socialdemokrate, së bashku me socialistët dhe aleatët e tjerë, vendi të shkojë drejt integrimit europian, por për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe jo për qeverinë dhe qeveritarët”, - tha kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi.

Milo: “Vota për PDS-në, votë për të majtën progresive”

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, gjatë turit të tij elektoral ka zhvilluar një takim me anëtarët dhe simpatizantët në qytetin e Kuçovës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Milo u tha të pranishmëve se Demokracia Sociale është shumë e qartë në pikëpamjet e saj, në programin e saj dhe në përkatësinë e saj politike. “PDS është një parti e qendrës së majtë, me orientim europian që e shpalos hapur identitetin e vet dhe që kërkon që nesër në qeverisje të japë një kontribut aq sa i takon, për aq sa do mbështetet, por të jeni të sigurt se do të jetë një kontribut që nuk do të jetë modest, përkundrazi, do të jetë substancial. Të votosh për PDS-në do të thotë të votosh për të majtën progresive, konsekuente, besnike. Të votosh për PDS-në do të thotë që nuk e çon votën dëm në mënyrë absolute, jo thjesht se jemi në një koalicion, ku vlera e votës është e barabartë si të votosh për PS-në”, - tha Milo.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›