Afaristët dhe shoferët profesionistë, lehtësim vizash në vendet anëtare të Detit të Zi
Të gjithë biznesmenët dhe shoferët profesionistë të transportit ndërkombëtar TIR pritet të lëvizin pa viza në shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi. Një fakt i tillë është bërë i ditur nga qeveria, e cila ka përgatitur projektligjin që do të miratohet në Kuvend për këto dy kategori. Sipas projektligjit, Shqipëria bën “ratifikimin e marrëveshjes për thjeshtimin e procedurave të vizave për afaristët, shtetas të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi”. E njëjta praktikë është edhe për thjeshtimin e procedurave të vizave për shoferët profesionistë të kamionëve nga shtetasit e vendeve anëtare të kësaj nisme. Këto dy projektligje pritet të kalojnë për miratim në Kuvendin e ri, i cili mblidhet në seancën e parë të tij më 3 shtator. Edhe Bashkimi Europian ka aplikuar procedura më të thjeshtuara për disa kategori në dhënien e vizave. Ambasadat e shteteve anëtare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Tiranë kanë bërë marrëveshje me shoqatat e biznesit, të gazetarëve, të shoqërisë civile etj., ku garantohet pajisja me viza e personave duke shmangur burokracitë e shumta që merren në procedurat normale. Nisma e vendeve të Detit të Zi ka 12 anëtarë. Madje, funksionon edhe Këshilli i Biznesit të shteteve që janë në këtë organizatë, i cili synon bashkëpunimin mes komuniteteve të bizneseve, nxitjen e tregtisë dhe investimeve si dhe forcimin e kapaciteteve.
9 Korrik 2009