Gjinushi: “Humbja e së majtës, për shkak të PS-së dhe pazarit të LSI-së”
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka hedhur akuza të ashpra si në drejtim të Partisë Socialiste, ashtu dhe në drejtim të LSI-së për humbjen e së majtës në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Gjatë një konference për shtyp Gjinushi tha se Partia Socialiste ndoqi një rrugë të gabuar, duke propozuar një kod që nuk e favorizoi aspak të majtën. Gjinushi e cilësoi shumë të gabuar taktikën e PS-së, e cila nuk afroi në koalicion LSI-në dhe, për më tepër, luftoi PSD-në ndonëse ishin në të njëjtin koalicion. Gjinushi hodhi akuza të ashpra edhe ndaj LSI-së. Sipas tij, vendimi i LSI-së për të bashkëqeverisur me PD-në është një matrapazllëk politik. “Partia Socialiste ka gabuar sepse ky sistem zgjedhor, pavarësisht kapriçove, papërshtatshmërisë së tij, kishte vetëm një zgjidhje: optimizimin e aleancës. Ky sistem kërkonte pikërisht që në PS të mos rilindnin taktika, mentalitete të dikurshme që aleatët t’i përdorim për mbështetje, por sa më pak mandate dhe mundësisht 0, që të gjitha frytet e bashkëpunimit të shkonin vetëm te PS-ja. Fatkeqësisht, këtë taktikë të gabuar në 2001-shin, të deformuar në 2005-n, PS-ja e ripërdori në 2009-n, madje duke kaluar edhe në mashtrim elektoral që vota për PSD-në është votë për Berishën, vota për PSD-në shkon dëm. Me një bashkëpunim të pastër, të sinqertë, absolutisht e majta përsëri do të ishte fituese, me gjithë tradhtinë e LSI-së dhe manipulimet e Berishës”, - vijoi Gjinushi.
Për kreun e PSD-së vendimi i LSI-së ishte krejtësisht i gabuar. “Zgjedhjet e majta u shitën dhe u drejtuan keq për dy arsye: sepse LSI-ja u pozicionua “forcë” më vetë që në fillim, kjo mund të ishte e drejtë e saj, por këtë pozicionim e shoqëroi me një luftë publike dhe thirrje të hapur për të mos votuar të majtën dhe me një kërkesë, synim të qartë që të mos fitonte as e majta, as e djathta, që Ilir Meta të kishte dorën e lirë për të luajtur kryeministrin dhe ai meqë nuk zuri dot vendin e Saliut, kapi atë të Jozefinës”, - tha Gjinushi.
9 Korrik 2009