E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Berisha dobësohet ne qeveri, forcohet ne parti

Maxhorancë e brishtë në qeveri, por “dorë e fortë” në parti. Zhduken mbështetësit e Topit dhe grupi i të moderuarve

Eljona Ballhysa
Ndonëse nuk arriti të siguronte një fitore që do t’i jepte një maxhorancë të fortë qeverisëse, kryetari i Partisë Demokratike, me rezultatin e këtyre zgjedhjeve, arriti një fitore të fortë nga pikëpamja partiake. Produkti i këtyre zgjedhjeve solli në selinë blu zhdukjen e klaneve të ndryshme apo grupimeve të mendimit ndryshe brenda partisë. Tani, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kreu i PD-së, Berisha, e ka shumë më të lehtë se më parë të drejtojë Grupin Parlamentar të kësaj partie. Kjo për faktin se në të nuk bëjnë pjesë të ashtuquajturit mbështetësit e presidentit Bamir Topi, ose “pakica bllokuese”, siç e ka cilësuar vetë kryetari Berisha. Në Grupin Parlamentar të PD-së mungon dhe grupi i të moderuarve, ata që në momente kyçe arrinin të kritikonin kryetarin e partisë së tyre. Tashmë, ndryshe nga katër vite më parë, Berisha ka arritur të sigurojë sundimin e plotë të deputetëve të tij.
Grupimet
Sistemi i ri zgjedhor i dha shumë fuqi kryetarit të PD-së për të vendosur emrat e mbështetësve të tij të betuar në listën e kandidatëve për deputetë pa pasur ndikim nga askush. Pikërisht për këtë arsye ai la jashtë listës së kandidatëve një numër të konsiderueshëm deputetësh. Shumë prej tyre ishin të njohur për mbështetjen nga presidenti Bamir Topi. Të tillë ishin Sami Gjergji, Ndriçim Babasi, Pal Dajçi, Sali Shehu, Dashnor Sula e Gazmend Oketa. Ndërsa Sami Gjergji u tërhoq nga kandidimi për shkak të vendit të pafavorshëm në listë, të tjerët, megjithëse kishin vite që i shërbenin PD-së, nuk u kandiduan. Ndërsa i vetmi që mund të cilësohet si përfaqësues i ish-nënkryetarit të PD-së, Topi, është Gazmend Oketa. Ky i fundit, pavarësisht postit të ministrit të Mbrojtjes, u vendos në vendin e katërt në listën e PD-së në qytetin e Durrësit, pra në një pozicion jo fort të favorshëm. E gjithë kjo strategji dukej se kishte si synim eliminimin e ndikimit të ish-nënkryetarit Topi në PD. Dhe duket qartë se ky qëllim i kryetarit të PD-së Berisha është arritur. Me konfiguracionin e ri të Grupit Parlamentar të PD-së, presidenti Topi, një nga figurat më potente të Partisë Demokratike, nuk ka më asnjë ndikim në këtë parti. Ndryshe nga katër vite më parë, ku për shkak të një grupi deputetësh Topi arriti të krijonte një pakicë bllokuese në Kuvend, këtë radhë ai është i vetëm përballë Berishës, që ka sundimin e plotë në Partinë Demokratike. Duhet theksuar se një rol domethënës në PD luan nënkryetarja e kësaj partie, Jozefina Topalli. Kjo e fundit vazhdon të ketë mbështetësit e saj në PD, por gjatë viteve ka treguar se është bashkëpunëtore mjaft e ngushtë me kreun e partisë dhe kryeministrin Berisha. Megjithatë, Topalli ka treguar gjithashtu se është një politikane që arrin atë që do dhe gëzon mbështetje për nismat e saj. Ndaj dhe Berishës Topalli i duhet më shumë si bashkëpunëtore sesa si rivale në PD. Megjithatë, marrëdhënien mes tyre do ta përcaktojë dhe ndarja e posteve dhe krijimi i qeverisë së re. Një grup tjetër, nëse mund të cilësohet në këtë mënyrë, ishin figurat e moderuara të partisë. Pikërisht ata që guxonin të jepnin një mendim ndryshe nga vendimi politik, madje kishin kurajën që të kritikonin disa vendime të qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Të tillë ishin Besnik Mustafaj, Preç Zogaj e Aleksandër Biberaj. Që të tria këto figura nuk u përfshinë në listat e kandidatëve për deputetë të PD-së, duke u lënë qëllimisht jashtë Kuvendit të ri. Arsyeja e përjashtimit ishte pikërisht qëndrimi i tyre në disa raste në kundërshtim me vendimin politik të partisë.

Grupi i Topallit

Një nga figurat më të fuqishme në PD pas kryetarit Berisha është nënkryetarja e kësaj partie, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit për katër vitet e kaluara, Jozefina Topalli, ka treguar se qëndron në krye të një klani të fuqishëm në PD me shumë ndikim në vendimmarrjen e partisë. Ky grupim përbëhet kryesisht nga persona me peshë në Partinë Demokratike, të cilët mbajnë poste ministrore dhe janë të parët që vendosin për marrjen e vendimeve si në PD, ashtu dhe në qeveri. Në këtë grup bën pjesë ish-zëvendëskryeministri Ilir Rusmali, ministri i Financave Ridvan Bode, ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, si dhe deputetët Bumçi, Trashani e Paloka.

Mbështetësit e Topit

Një grup jo i vogël deputetësh brenda Partisë Demokratike, që njiheshin si mbështetës të ish-nënkryetarit të Partisë Demokratike, aktualisht Presidenti i Republikës, Bamir Topi, tashmë janë jashtë Kuvendit të ri. Ky grupim përbëhej nga deputetët Gazmend Oketa, Ndriçim Babasi, Bujar Leskaj, Pal Dajçi, Sali Shehu, Sami Gjergji, Dashnor Sula, Ardian Kollozi. Shumë prej këtyre tashmë janë vetëm ish-deputetë dhe për shkak të mbështetjes së hapur nga ish-nënkryetari i PD-së u lanë jashtë listave të deputetëve dhe tashmë ndodhen jashtë Grupit të ri Parlamentar të Partisë Demokratike.

Të moderuarit

Grupi i të moderuarve në Partinë Demokratike u përvijua kryesisht në dy vitet e fundit të qeverisjes së PD-së. Në kohën kur Partia Demokratike arriti të kishte pushtetin absolut në shumicën e institucioneve të larta të vendit, kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit ndërmorën një sulm kundër institucioneve të pavarura. Disa prej deputetëve të PD-së u shprehën kundër qëndrimit të lidershipit të PD-së. Të tillë ishin Mustafaj, Zogaj e Biberaj. Të tre këta deputetë u lanë jashtë listave për shkak të përplasjeve me kryetarin e PD-së apo me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Deputetët në fjalë nuk ishin dakord me një sërë qëndrimesh apo nismash të kryetarit apo nënkryetares së partisë dhe guxuan që kritikat e tyre t’i bënin publike dhe në media. Për këtë qëllim këto tri figura u lanë jashtë listave të kandidatëve për deputetë.

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›