Malaj: “Nuk është koha të flitet për dorëheqjen e Edi Ramës”
“Ende nuk ka një rezultat final të zgjedhjeve të 28 qershorit, dhe për këtë arsye nuk është momenti të diskutohet për largimin ose jo të Edi Ramës nga kreu i Partisë Socialiste”. Kështu u shpreh deputeti socialist Arben Malaj në emisionin "Studio e hapur" në TV ALSAT, por në të njëjtën kohë ai e vlerëson si një shembull të mirë për politikën dorëheqjen e Fatos Nanos pas humbjes së PS-së në zgjedhjet parlamentare të 2005-s. "Unë mendoj se zoti Rama është miqësor me median për të qenë prezent vetë në media. Nuk besoj se është ky momenti që debati publik duhet të fokusohet. Unë besoj që dhe media në misionin e saj fokusin kryesor duhet të ketë se si në vend të mos deformohen proceset e fundit elektorale, se si krijohet maxhoranca, se çfarë kredibiliteti dhe moraliteti do të kenë për qeverisjen e vendit, pastaj zhvillimet në forcat e veçanta politike. Për shkak të përgjegjësive në Partinë Socialiste dhe për shkak të eksperiencave të PS-së, unë besoj se nuk është momenti të flasim për supozime çfarë do të ndodhë, aq më tepër nuk më takon mua të flas në emër të të tjerëve. Besoj se veprimi i Nanos është vlerësuar si një veprim modernizues në funksionimin e PS-së dhe si një shembull i mirë në politikën shqiptare", - u shpreh Malaj. Sipas tij, të gjitha forumet e partisë do të mblidhen dhe do të analizojnë rezultatin, teksa ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të futet në garën për kreun e Partisë Socialiste, gjithmonë nëse do të ketë një të tillë. "Vendimet e duhura në kohën e duhur, por ju garantoj vetëm një gjë, që çdo angazhim do të jetë pozitiv për t’u bërë pjesë e maksimizimit të energjive pozitive që ka PS-ja në tërësinë e saj dhe jo si një garë individuale, për një sfidë individuale. Besoj që në politikë secili ka detyrimin të jetë aktiv, dhe jo thjesht shikues lajmesh", - tha Malaj.
9 Korrik 2009