E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja nis hartimin e dy raporteve për zgjedhjet e 28 qershorit

Kastriot Islami do të hartojë raportin që analizon rezultatin zgjedhor të PS-së. Shkeljet ligjore të procesit do të përmblidhen në raportin që do të hartojë Xhafaj

Shaban Sulçe

Procesi i analizimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit për Partinë Socialiste do të realizohet vetëm në përfundim të hartimit të dy raporteve të posaçme, të cilat po hartohen në selinë rozë. Kështu, bëhet e ditur se sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, është duke hartuar një raport, i cili merr në konsideratë të gjithë rezultatin zgjedhor që arriti Partia Socialiste në këto zgjedhje,
ndërsa sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, është duke përpunuar raportin që ka të bëjë me anën ligjore të këtyre zgjedhjeve me shkeljet e Kodit Zgjedhor dhe çdo elementi tjetër në kundërshtim me ligjin, të konstatuar gjatë procesit të votimit dhe gjatë procesit të numërimit të votave. Vetëm pas përfundimit të këtyre dy raporteve do të nisë analiza e imtësishme e zgjedhjeve, ndërkohë që mbi bazën e tyre duket se do të përqendrohet edhe vendimi i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, nëse do të vazhdojë ende të jetë në krye të kësaj partie, apo të japë dorëheqjen.

Rezultatet
Analiza për rezultatin zgjedhor të 28 qershorit të Partisë Socialiste do të kalojë përmes një raporti të hollësishëm që po përgatitet nga sekretari për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami. Në këtë raport do të paraqiten të gjitha rezultatet e arritura nga PS-ja dhe do të bëhet krahasimi i votave që ajo ka fituar në këto zgjedhje në krahasim me zgjedhjet e 2005-s. Krahasimi do të bëhet edhe mbi bazën e secilit qark, ndërkohë që do të evidentohen edhe favorizimet që i janë bërë Partisë Socialiste nga Kodi Zgjedhor, ku në shumë qarqe ajo arriti të fitojë mandate falë formulës “D’Hondt”. Ndërkaq, në raportin që po hartohet nga Xhafaj do të zënë vend të gjitha shkeljet ligjore të ndodhura gjatë procesit zgjedhor. Mbi bazën e këtij raporti do të bëhen edhe të gjitha kontestimet që Partia Socialiste do të ketë jo vetëm për shkeljet e konstatuara gjatë procesit të votimit dhe procesit të numërimit të votave, por edhe për shkeljet ligjore të KQZ-së, hartimit të tabelave të mandateve etj.

Ndërkombëtarët

Ndërkaq, Partia Socialiste ka nisur një proces të gjerë të dokumentimit të të gjitha manipulimeve që ajo pretendon se kanë ndodhur në zgjedhjet e 28 qershorit. Dy ditë më parë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim me të 140 kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë takimit Rama u ka kërkuar të gjithë kandidatëve që të mbledhin të gjithë informacionin e nevojshëm që ka të bëjë me manipulimet që kanë ndodhur si gjatë procesit të votimit, ashtu dhe gjatë procesit të numërimit të votave. Sipas kryesocialistit, i gjithë ky informacion duhet të dokumentohet në mënyrë që Partia Socialiste, me anë të raporteve të posaçme që do të hartojë, t’ia vë në dispozicion të gjithë faktorit ndërkombëtar. Dokumentimi i manipulimeve të procesit zgjedhor të 28 qershorit mund të shërbejë edhe si prova e fortë e Partisë Socialiste për kontestimin e rezultatit zgjedhor.

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›