E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu uron Berishën për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit



Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka dërguar një letër urimi kryeministrit Sali Berisha për fitoren e koalicionit që ai drejtoi në zgjedhjet e 28 qershorit. “Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ju përgëzoj për fitoren e 28 qershorit në të cilën koalicioni ‘Aleanca për ndryshim’ mori përkrahjen e qytetarëve të Shqipërisë për të qeverisur vendin Tuaj në mandatin e ardhshëm. Vlerësoj se procesi i zhvilluar zgjedhor u dha votuesve shqiptarë mundësinë që të përcaktohen të lirë për përfaqësuesit e tyre”, - shkruan ndër të tjera presidenti Sejdiu në telegramin e urimit.
Më tej Presidenti i Kosovës shpreh bindjen se qeveria e re e Shqipërisë do të vazhdojë proceset integruese të vendit në familjen europiane. “Jam i bindur se Shqipëria, e qeverisur nga koalicioni i ndërtuar mbi vlera të demokracisë dhe të zhvillimit, do të vazhdojë me hapa të vendosur që kombi dhe shteti shqiptar të bëhet pjesë e familjes së gjerë europiane, duke marrë kështu detyrimet dhe përgjegjësitë që i takojnë. Besoj se Shqipëria, pas anëtarësimit në NATO, në një kohë fare të shkurtër, do të përmbushë kriteret për t'u bërë anëtare e Bashkimit Europian, duke realizuar kështu një nga dëshirat dhe ëndrrat më të mëdha të kombit shqiptar”, - shkruan Sejdiu. Në fund të telegramit, presidenti kosovar shprehet se do të punojë ngushtë për të thelluar bashkëpunimin në interes të të dyja vendeve tona dhe gjithë rajonit.

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›