E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema e Berishës, PD-ja tentoi avantazhin me 25 deputetë në 4 qarqet e Veriut

Presioni mbi Shkodrën, Kukësin, Dibrën dhe Lezhën do të krijonin avantazhin. Në qarqet e Shqipërisë së Mesme Berisha luftoi për të ruajtur barazimin

Habjon Hasani

Demokratët kanë punuar “me laps në dorë dhe me skema të sigurta” për të paktën në katër qarqe në Veri, ku krerët e PD-së prisnin të krijonin një superioritet prej afro 25 deputetësh. Kjo ka qenë dhe arsyeja e shumë shkeljeve të konstatuara në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Lezhës. Avantazhi i synuar prej 25 deputetësh në këto 4 qarqe pranohet nën zë edhe nga funksionarë të PD-së. I vetëdijshëm për influencën e Partisë Demokratike në këto qarqe, Berisha kërkoi me çdo kusht maksimalizimin dhe fitoren thuajse neto në këto katër qarqe. Duket se plani ka filluar pikërisht atëherë kur ekspertët e Partisë Demokratike nuhatën faktin se Kodi Zgjedhor dhe mënyra e përllogaritjes së votave linte shumë shteg për të mos pasur një koalicion fitues me mbi 71 vota. Në këto kushte PD-ja nisi intensifikimin e fushatës dhe përpjekjeve në këto katër qarqe ku konkretisht synoi një fitore neto prej katër mandatesh në Kukës, e cila për pak sa nuk u arrit, synoi një rezultat 9-2 në Shkodër, një avantazh në shifrat 5-2 në Lezhë dhe një fitore 5-1 në Dibër. Ndoshta qarku i Shkodrës dhe mënyra se si precipituan ngjarjet atje është treguesi më i mirë se Partia Demokratike synonte një dominim absolut në këto zona. Një plan dhe një synim për sigurimin e një totali prej 25 votash “të sigurta dhe garantuese”, që do të certifikonte kapjen e mandatit të 74-t apo të 75-të të PD-së në rang vendi. Por rezultati tregoi se këto hesape të demokratëve nuk dolën ashtu si ata prisnin, megjithatë avantazhi në këto zona krijoi, sidoqoftë, një shtrat të mirë për të luftuar fort në qarqet e Shqipërisë së Mesme dhe ato të Jugut, pasi Kodi e maksimalizonte vlerën e votave të PD-së në qarqet e Jugut, për shkak se këto qarqe kishin një numër të madh popullsie dhe pragu për të kapur mandatin ishte më i ulët.
Arsyet
Partia Demokratike i kishte të gjitha arsyet që të krijonte një avantazh “paralizues” për socialistët në këto katër qarqe të Veriut, pasi të gjitha të dhënat për qarqet e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut ishin shpresëdhënëse, aty mund të sigurohej barazimi. Rastet më tipike ishin Tirana dhe Durrësi, ku kryeqytetit i ishin bashkëngjitur dhe votat e Kavajës, ndërsa Durrësit i ishin bashkëngjitur dhe votat e Krujës. Pra në këto dy qarqe të mëdha Partia Demokratike kishte shanse reale për të siguruar minimalisht balancën e mandateve, sidomos kur numri i madh i mandateve që ofronin këto dy qarqe ulnin vështirësitë për votat blu. Përllogaritja e votimit në qarqe i ktheu demokratët në rishikimin e rezultateve dhe numrit të votave të zgjedhjeve lokale vitit 2007, ku ndonëse demokratët humbën disa nga bashkitë më të mëdha të vendit, ata mundën të dominonin në fshatra dhe kryesisht këshillat e qarqeve pikërisht falë votave që kjo forcë politike ka mundur të sigurojë nëpër fshatra. Por, tani, në vitin 2009, këto potenciale votash të së djathtës merrnin një tjetër vlerë, pasi nga mënyra se si u ndanë qarqet dhe mandatet këto vota jepnin më shumë dobi dhe siguronin më tepër mandate. Me këtë Kod Zgjedhor PD-ja maksimalizonte frytet e punës së saj jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por edhe në disa qarqe të mëdha në Jug.
Strategjia
Sot duket qartësisht se edhe shpalljet apo zyrtarizimet paraprake të rezultateve zgjedhore nisën pikërisht në qarqet veriore. Kishte vetëm dy institucione të besueshme që ofronin rezultate të përditësuara. Ato ishin konferencat për shtyp të zëdhënësit të KQZ-së dhe rezultatet on-line të projektit “ECA”. Që të dyja këto institucione publike nisën raportimin e të dhënave pikërisht nga katër qarqet në Veri, ku demokratët prisnin fitoren e tyre neto dhe krijimin e një avantazhi të pakapërcyeshëm nga ana e kundërshtarëve të tyre politikë. Më tej raportimet zbritën në Shqipërinë e Mesme, ku situata ruajti një barazi thuajse të përpiktë, me përjashtim të qarkut të Durrësit, ndërsa Elbasani dhe Korça treguan një pozitë barazuese, e cila në rastin e Elbasanit mund të quhet edhe si një fitore e demokratëve. Por, nëse në Shqipërinë e Mesme PD-ja mundi të ruante një ekuilibër perfekt, në qarqet e Jugut kjo forcë politike thuajse arriti një rekord të sajin falë Kodit. Në qarkun e Fierit Partia Demokratike nuk ka mundur kurrë në 10 vitet e fundit që të sigurojë mbi 4 deputetë (shpeshherë mezi kapte 3 të tillë), ndërsa sot numëron gjashtë të tillë. E njëjta gjë ka vlejtur edhe me Gjirokastrën, ku PD-ja mundi të kapte 3 apo me Vlorën, ku PD-ja arriti të siguronte 4 mandate me forcat e saj dhe 1 mandat të pestë falë aleates së saj, PDI. Vlen për t’u kujtuar se në Vlorë socialistët nga ana e tyre pretendonin një rezultat 9-3, që nuk erdhi kurrë, pasi demokratët u investuan jashtëzakonisht në sigurimin e votave në fshatrat e Jugut, të cilat karakterizohen nga një numër i madh popullsie për shkak të veçorive natyrore dhe resurseve bujqësore. Megjithatë, sot shihet qartësisht se PD-ja, ndonëse nuk mori dot fitoren neto në 4 qarqet e Veriut, luftoi për të rikuperuar “mangësitë” në Fier apo Berat nëpërmjet “lojës” së komisionerëve. PD-ja, falë strategjisë së saj, mundi të dominonte me mandatet si koalicion, ndërsa forca e strategjisë së demokratëve duket se është shumëfishuar gjatë rrugës falë përçarjes që ekzistonte në kampin e majtë që më përpara.

BOX
Votat sipas qarqeve dhe pretendimet e demokratëve

Qarku Tiranë
Gjithsej 32 mandate
PS - 15 mandate
PD - 15 mandate
LSI - 1 mandat
PR - 1 mandat

Qarku Shkodër
Gjithsej 11 mandate
PD - 7 mandate (kishte parashikuar 9 mandate)
PS - 4 mandate

Qarku Kukës
Gjithsej 4 mandate
PD - 3 mandate (luftoi për të katra mandatet)
PS - 1 mandat

Qarku Lezhë
Gjithsej 7 mandate
PD - 4 mandate (pretendoi 5 mandate)
PS - 3 mandate

Qarku Dibër
Gjithsej 6 mandate (pretendoi 5 mandate)
PD - 4 mandate
PS - 2 mandate

Qarku Elbasan
Gjithsej 14 mandate
PD - 7 mandate
PS -7 mandate

Qarku Fier
Gjithsej 16 mandate
PS - 8 mandate (pretendon 9)
PD - 6 mandate
PDI - 1 mandat
LSI - 1 mandat

Qarku Berat
Gjithsej 8 mandate
PS - 4 mandate
PD - 3 mandate
LSI - 1 mandat

Qarku Vlorë
Gjithsej 12 mandate
PS - 6 mandate
PD - 4 mandate
PDI - 1 mandat
PBDNJ - 1 mandat

Qarku Gjirokastër
Gjithsej 5 mandate
PS - 3 mandate
PD – 2 mandate

Qarku Durrës
Gjithsej 13 mandate
PD – 7 mandate
PS – 5 mandate
LSI - 1 mandat

Qarku Korçë
Gjithsej 12 mandate
PD - 6 mandate
PS - 6 mandate

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›