E Diel, 1 Nëntor 2026

Fratini dhe Barrot: Tani nuk ka liberalizim vizash mes Shqipërisë dhe BE-së

Ministri i Jashtëm italian dhe komisioneri europian shprehen për procesin. Vendet e para që përfitojnë heqjen e vizave janë Serbia, Maqedonia dhe Mali Zi

Kur kanë mbetur edhe pak ditë që të merret vendimi për heqjen e vizave mes BE-së dhe disa vendeve të Ballkanit, qytetarët shqiptarë përfundimisht i kanë shuar shpresat se deri në fund të vitit mund të udhëtojnë lirshëm në zonën “Shengen”. Njëherësh, komisioneri për Çështjet e Brendshme dhe të Sigurisë, zoti Zhak Barrot dhe ministri i Punëve të Jashtme të Italisë deklaruan dje listën e tri vendeve që pritet të marrin vendimin pozitiv nga Brukseli më 14 korrik. Duket se shkak për marrjen e këtij vendimi negativ për Shqipërinë do të shërbejnë edhe mosrealizimi i zgjedhjeve të 28 qershorit sipas standardeve ndërkombëtare.
Vendimi
Komisioni Europian do të adoptojnë më 14 korrik në Strasburg një mocion për heqjen e vizave “Shengen” për shtetasit e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Zëvendëspresidenti i Komisionit, që është njëherësh përgjegjës për çështjet e Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë, zoti Barrot dhe komisioneri për Zgjerimin, Oli Ren, do të japin shpjegime për propozimet e bëra. Menjëherë pas miratimit, propozimi do t’i shkojë Këshillit të Ministrave të BE-së dhe Parlamentit Europian. Ky vendim merret pas përgatitjes së raporteve të vlerësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor sipas udhërrëfyesit për vizat. Dy javë më parë, edhe shefat e diplomacive të shteteve anëtare të Bashkimit Europian pohuan gatishmërinë për heqjen e vizave për vendet që kanë realizuar standardet.
Deklarata
Gjatë një vizite në Bukuresht, ministri i Jashtëm italian ka deklaruar se Bashkimi Europian do të liberalizojë vizat me tre shtete të Ballkanit Perëndimor, - Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Sipas agjencisë “Agepres”, procesi do të vazhdojë më pas me Bosnjë-Hercegovinën. “Ne shpresojmë se brenda pak javësh do të mund të liberalizojmë vizat për tri vende të rëndësishme të Ballkanit; fillimisht me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, por nuk do të lërë jashtë më vonë as Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën”, - tha zoti Franko Fratini në një konferencë për shtyp të zhvilluar dje në Bukuresht së bashku me homologun rumun, Diakonesku. Ai tha se Italia dhe Rumania ndajnë të njëjtat ide në lidhje me Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se “Rumania është duke luajtur një rol kyç në Europën Juglindore, duke qenë një shembull suksesi për të gjitha vendet e tjera kandidate”.
Edhe ministri rumun tha se vendi i tij mbështet anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE.
Më 15 qershor Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së zyrtarisht i ka kërkuar Komisionit Europian që të nisë procedurat dhe të paraqesë kërkesën te shtetet anëtare për vendet që kanë realizuar të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave. Pak më parë Komisioni Europian përgatiti raportet e vlerësimit për pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina ishin në listën e vendeve që kanë realizuar pjesërisht kërkesat e udhërrëfyesit për heqjen e vizave.

PD dhe PS premtuan në fushatë liberalizim vizash për shqiptarët

Gjatë gjithë fushatës së zgjedhjeve liberalizimi i vizave për shqiptarët deri në vitin 2010 ishte premtimi kryesor i dy partive kryesore në vend, PD-së dhe PS-së. Ndërkaq, maxhoranca qeverisëse i ka konsideruar të suksesshme reformat e saj në këtë drejtim dhe ka pritur vlerësime pozitive nga Brukseli. Madje, ministri i Jashtëm, zoti Lulzim Basha, përkundër fakteve, e lexoi si shumë pozitiv raportin e vlerësimit të Komisionit Europian. Ai dhe zoti Berisha kanë qenë optimist në heqjen e vizave për shqiptarët, por faktet tregojnë se do të duhet kohë që të presin shqiptarët për të udhëtuar lirisht në Europë.
Pak javë më parë ishte në Tiranë komisioneri për Çështjet e Brendshme e të Sigurisë, zoti Zhak Barrot, i cili vlerësoi disa nga reformat e ndërmarra ndërsa kritikoi sidomos reformat në sistemin e drejtësisë. Pak më vonë, u zhvillua në Bruksel takimi i parë i Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së, ku u theksua se lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i shtetit ligjor mbeten akoma sfida kryesore për qeverinë dhe maxhorancën qeverisëse. Së fundi, tashmë Tirana zyrtare do të presë vendimin nëse zgjedhjet e 28 qershorit do të ndikojnë negativisht ose pozitivisht në procesin për heqjen e vizave të shqiptarëve në zonën Shengen.

ESI propozon Shqipërinë në Listën e Bardhë, standardet heqin vizat

Shqipëria duhet të përfshihet simbolikisht në Listën e Bardhë për ta inkurajuar në realizimin e reformave, por vizat do të hiqen vetëm pasi të plotësojë kushtet. Ky është mendimi i shprehur nga drejtuesi i Nismës Europiane për Stabilitet, Gerald Kanus, i cili ka publikuar tri javë më parë një artikull në “Euobserver”, pikërisht në ditën që krerët e diplomacive të 27 vendeve po diskutonin për liberalizimin e vizave. Sipas Knaus, liberalizimi i procesit do të bëhet vetëm pas një vlerësimi të dytë për reformat në Shqipëri, i parashikuar për t’u realizuar në vitin 2010. Kjo organizatë me qendër në Bruksel ka publikuar një raport në të njëjtën kohë me vlerësimin e Komisionit Europian, ku ka përcaktuar shkallën e realizimit të reformave që kërkon udhërrëfyesi për vizat. Sipas tij, vetëm Maqedonia ka marë pikët maksimale, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja janë vlerësuar negativisht.

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›