Afate për marrjen e dokumenteve mbi pronat

11/03/2005 Arkivat dhe institucionet e tjera të Pushtetit Vendor, që kanë në zotërim dokumente mbi pronësinë, janë të detyruara që të japin informacin sa më të shpejtë ish-pronarëve. Në rast të kundërt, funksionarët do të penalizohen, sipas ligjit për informimin. Gjithsesi, komiteti ka kërkuar që afatet të mos sjellin pengimin e ish-pronarëve për të plotësuar dokumentet që duhen për të kërkuar të drejtën e tyre. Kështu, arkivat duhet të japin përgjigje mbi informacionin e kërkuar brenda 5 ditëve, ndërsa për institucionet e tjera lejohet që përgjigjja të jepet nga 15 ditë deri në 30 ditë. Nga ana tjetër, Komiteti Shtetëror po përgatit një draft për të kërkuar shtyrjen e afateve, që kanë në dispozicion komisionet vendore për të marrë një vendim mbi kthimin dhe kompensimin e pronave. Gjithashtu, Komiteti do të kërkojë dhe shtyrjen e afateve që iu janë lënë ish-pronarëve për të paraqitur kërkesat e tyre. Sipas ligjit, afati për ish-pronarët përfundon në fillim të muajit shtator. Pas kësaj, procesi i paraqitjes së dosjeve nga ish-pronarët cilësohet i përfunduar. Por një presion akoma më të madh po ushtron dhe shoqata e ish-pronarëve. "Pronësi me Drejtësi", i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të rrëzojë një sërë nenesh të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Sipas tyre, nuk është e drejtë që të kufizohet afati për të kërkuar të drejtën e pronës. Ndërsa një tjetër pikë shqetësuese është dhe fakti se në ligj parashikohet kthimi dhe kompensimi i tokave bujqësore vetëm deri në 60 hektarë tokë. Ish-pronarët, theksojnë se kjo është në kundërshtim të plotë me konventat ndërkombëtare.