E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Volvo" e braktisur, lidhja me shpërthimin

11/03/2005  Makina te "Shyqyri Bërxolli", ndoshta e vrasësve

Automjeti i braktisur te rruga "Shyqyri Bërxolli" mund të ketë lidhje me shpërthimin e një jave më parë te "Don Bosko". Burime policore dyshojnë se makina tip "Volvo" me targa SBE 4246, ku u gjetën 3 maska dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh, mund të ketë qenë e vrasësve që ekzekutuan me tritol viktimën në pallatin e invalidëve të luftës. Viktima në morg rezulton se ka grup gjaku A-B.

Dyshimet

Ndonëse ka vetëm pak prova ku mund të mbështetet ky dyshim, grupi hetimor i Komisariatit nr.3 ka nisur të kryej verifikimet dhe provat e para në automjetin e braktisur. Burime nga ky dikaster bëjnë të ditur se, nëse automjeti tip "Volvo" do të ishte gjetur i zbrazur, dyshimet e bluve do të kufizoheshin vetëm në ndonjë linjë grabitjeje apo largim nga vendi i aksidentit, ku mund të kishte mbetur i vdekur ndokush. Por fakti që në mjetin me targa SBE 4246 u gjetën 3 maska dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh, i bën hetuesit të hedhin dyshime mbi lidhjen e mjetit me shpërthimin e tritolit një javë më parë te "Don Bosko". Maska që iu gjet viktimës në kokë është shumë e ngjashme me ato syresh që u zbuluan në mjetin e braksitur. Ndaj, ky detaj është një pikë e fortë lidhjeje mes dy ngjarjeve. Si të mos mjaftonte me kaq, fishekët janë një faktor tjetër domethënës që shton hamendjet e grupit hetimor mbi përfshirjen e një grupi vrasësish. "Ka mundësi që ish-pronarët e makinës së gjetur te rruga "Shyqyri Bërxolli" të jenë ekzekutorët e viktimës me tritol. Ata kanë dyshuar se policia mund t'i kishte pikasur dhe, kësisoj, nuk kanë ngurruar ta braktisin makinën për t'ia mbathur në këmbë. Kështu kanë humbur dhe gjurmët", saktësojnë burimet. Janë në procedurë krahasimi gjurmët e gjetura në makinë me ato të vendit të ngjarjes si dhe të kufomës së paidentifikuar të pallatit të invalidëve.

Zhvillimet

Mbetet ende i paidentifikuar në morgun e Tiranës viktima e një jave më parë te "Don Bosko". Burimet nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, pohojnë se trupi i copëtuar nga tritoli nuk është tërhqeur ende nga familjarët. Megjithë përpjekjet e bluve për të "pagëzuar" me gjeneralitete njeriun me kostum dhe qesen me bukë e sallam, duket se kjo ditë do të vonojë. "Është në interesin tonë që viktima të identifikohet një orë e më parë. Emri i tij do të na ndihmonte shumë në zbardhjen e aktivitetit të të ndjerit. Kësisoj, do ta kishim më të lehtë për të gjetur armiqtë e tij si dhe të hidhnin dyshimet e para mbi ekzekutimin me tritol", thonë uniformat. Sipas tyre, me aq prova sa posedohen deri më tash, zbardhja e ngjarjes është thuajse e pamundur. Ndërkaq, në orët e vona të ditës të djeshme u bë e ditur zyrtarisht se u konstatua grupi i gjakut të viktimës. Burime nga Instituti i Mjekësisë Ligjore konkluduan se, nga analiza që iu krye kampionit të gjakut të kufomës, u konkludua se është A-B. Por, kjo e dhënë nuk mund të ketë vlerë në këto pozita që kanë tanimë hetimet. Ka gjasa që pas zbulimit të ndonjë detaji paskëtaj, grupi i gjakut të ndihmojë në identifikim dhe dokumentim të plotë të ngjarjes. Analiza e djeshme përbën sipas grupit hetimor, vetëm një element të dosjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›