E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vjedhja e bankës, arkëtaret kundërshtojnë eksperten

11/03/2005  TIRANË – Drejt përfundimit procesi gjyqësor kundër arkëtareve, të cilat në bashkëpunim vodhën paratë e taksapaguesve. Firmat e arkëtareve zbulohen nga ekspertja Arita Zoto. Ka qenë kjo e fundit që dje, në Gjykatën e Tiranës, është përballur me mbrojtjen e katër arkëtareve, të cilat akuzohen për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës. Ekspertja shpjegoi para gjykatës se firmat e shënuara në ditarin e bilancit të bankës, i përkasin të pandehurave. Por nga ana e mbrojtjes, pretendimi i ekspertes është marrë i padrejtë. Avokatët janë shprehur se në ditar nuk janë shënuar emrat e personave që kanë në dorëzim paratë e taksapaguesve dhe kështu ekspertja nuk është e autorizuar të bëjë verifikimin e firmave, pasi nuk është e kësaj fushe. Të pandehurat në këtë proces penal, që drejtohet nga gjyqtari Arben Kostandini, janë Mirela Rama, Anila Balliu, Liljana Hidi, Bukurie Merkoçi dhe Tefta Mato. Ekspertja Zoto, në bazë të firmave të shënuara në ditarin e bilanceve të ditës, kishte deklaruar se shkeljet në hyrjet e daljet e parave pranë njësisë numër 4 të Bankës, ishin bërë prej të pandehurave. Por, sipas mbrojtjes, ekspertja nuk është kriminalist dhe nuk ka kompetenca për të verifikuar firmat. Gratë e vëna nën akuzë, prej të cilave vetëm Mato dhe Merkoçi ishin në sallë, kanë përsipër akuzën e "vjedhjes me anë të shpërdorimit të detyrës" të rreth 130 milionë lekëve të vjetra. Arkëtaret janë shpjeguar se, ato vetëm sa kishin të drejtë të pranonin lekët e personave dhe më tej veprimet i kryente shefja. Prokurori Dritan Nushi tha se për çdo ditë janë zhdukur fatura nga 1 deri në 2 milionë lekë. Këto lekë, sipas akuzës, futeshin në xhep nga të pandehurat. Prokurori Dritan Nushi tha para gjykatës se, shuma e vjedhur nga të gjitha të pandehurat në bashkëpunim është 130 milionë lekë të vjetra. Dy shtetaset që hetohen në mungesë dhe që kanë mbi shpinë masën e arrestit burg pa afat, Mirela Rama dhe Anila Agalliu, sipas akuzës pretendohet se janë kryesoret në këtë çështje. Sipas prokurorit, vjedhja funksiononte në një mënyrë fare të thjeshtë. Paratë e taksapaguesve që vinin nga dogana, arkëtoheshin tek tre të pandehurat. Një kopje e faturës qëndronte në bankë dhe më pas i dërgohej shefes së larguar, ndërsa një kopje tjetër i jepej personit të paraqitur. Fatura së bashku me paratë nga arkëtaret dërgohej te shefja, e cila kur bënte përmbledhjen, griste aq fatura sa i duheshin dhe të tjerat i shënonte në libër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›