E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrezikon 20 vjet burg për një gjurmë gishti

11/03/2005  TIRANË – Vetëm se është gjetur një gjurmë gishti në një armë të grumbulluar në popull, nuk mund të dënosh të pandehurin me 20 vjet burg. Kështu është mbrojtur dje para gjykatës i pandehuri Gëzim Cafi, i përkrahur edhe nga mbrojtja e tij, Fatos Shanaj. Prokurori Eugen Beçi kërkoi dënimin e të pandehurit Gëzim Cafi me 20 vjet burg për kryerjen e veprës penale të vrasjes. Por, kjo masë dënimi është quajtur e padrejtë nga mbrojtja, e cila është shprehur se, Cafi nuk ka gisht në vrasje. Vetë i pandehuri tha se është familjar dhe nuk ka patur asnjë interes të krijojë rrethana rënduese për veten e tij. Gjithashtu u shpreh se ka për të mbajtur një familje dhe fëmijët për të rritur. Për përfaqësuesin e akuzës, i pandehuri Cafi është gjendur fajtor për vrasjen e Brunilda Nezirit, ish e dashur e shtetasit Fatlum Kadia, edhe ky në gjendje arresti për vrasjen e tregtarit nga Saranda, Pirro Koçiu. Neziri u vra gabimisht, sipas akuzës, pasi në qendër të sulmit që u krye më 13 mars 2000, ishte Fatlum Kadia. Ky i fundit para gjykatës ka mohuar gjithçka. Nuk ka treguar as emra autorësh, madje është shprehur se në momentin kur ishin duke dalë nga Shkodra, në afërsi të Kalasë së Rozafës, e ka parakaluar një makinë tip "Benz". Nga kjo makinë është shprehur i dashuri i Brunildës kanë dalë dy persona me maska. "Unë dal nga makina dhe iki në drejtim të kundërt. Aty vritet e dashura ime Brunilda Neziri. Nuk njoha njeri. Ishin me maska". Kadia nuk ka ngurruar të tregojë se me Cafin njiheshin që në shkollë dhe ishin shokë prej kohësh. Kanë qëndruar në të njëjtën bankë. Në 13 mars të vitit 2000, në Shkodër, në afrësi të vendit ku është ndërtuar "Kisha e Zonjës së Mirë", është vrarë Brunilda Neziri dhe plagosur i dashuri i saj, Fatlum Kadia dhe Gentian Selmani. Fillimisht, autorët e vrasjes nuk u identifikuan. Në vend u gjet një armë automatike së bashku me dy karikatorë. Po kështu u gjetën 17 gëzhoja të qitura nga dy armë, dhjetë prej të cilave ishin qitur nga arma automatike e gjetur në vendngjarje. Ndërsa vrasja ndodhi në vitin 2000, hetimet për të filluan vetëm më 10 qershor të vitit 2003, tre muaj pas arrestimit të të pandehurit Gëzim Cafi, që u bë në 28 mars 2003. Fillimisht hetimet u kryen nga Prokuroria e Shkodrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›