OSBE monitoron punën e Komitetit të Pronave

11/03/2005 OSBE ka monitoruar të gjithë procesin e vendosjes së rregullores së funksionimit të komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave. Burimet kanë bërë të ditur se rregullorja para se të miratohej nga Komiteti është shqyrtuar dhe nga ekspertët e OSBE-së, që kanë dhënë vlerësimin e tyre. Me këtë vendim Komiteti ka përfunduar detyrimet ligjore, ndërsa është në pritje të Kuvendit, që duhet të miratojë Metodikën dhe të Qeverisë, që duhet të paraqesë aktet nënligjore. Në lidhje me çështjen e pronave, Bashkimi Evropian ka shprehur pakënaqësitë, për vonesat në zbatimin e ligjit. Ndaj, në takimin e fundit mes dy grupeve të punës, është theksuar se për këtë çështje do të ribisedohet me Shqipërinë. Bashkimi Evropian ka kërkuar përgjigje nga qeveria shqiptare, për tokat e lira, për ndërmarrjet shtetërore dhe për fondin e Buxhetit të Shtetit, që do të përdoret në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Pavarësisht këtyre, Komiteti i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave ka miratuar rregulloren bazë që do të përdoret për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Megjithatë një tjetër pikë kyçe ka mbetur përcaktimi i qirave për banorët, që jetojnë në ndërtesat e ish-pronarëve. Ligji përcakton se brenda dy viteve, qiraja e tyre duhet të jetë sipas tregut. Ligji saktëson se është Këshilli i Ministrave, që vendos mbi qiratë e banesave.