Qeveria siguron oferta për kredinë 300 milionë euro
Ministria e Financave, brenda javës do të shpallë emrin e bankës, që do t'i japë qeverisë kredinë 300 milionë euroshe
Shtatë banka ndërkombëtare paraqesin kushtet e kredisë tregtare për qeverinë shqiptare
Qeveria ka arritur të sigurojë shtatë oferta për të marrë kredi me kushte tregtare. Pas shtyrjes së procedurave, që erdhën nga mungesa e ofertave, Ministria e Financave ka bërë publikë emrat e shtatë insitucioneve financiare ndërkombëtare, të cilët kanë shprehur interes për t'i ofruar qeverisë borxh me interesa të tregut.
"Ministria e Financave njofton se përfundoi procesi i pranimit të ofertave për financimin e një huaje prej rreth 300 milionë eurosh, për të financuar investimet publike të vitit 2009, sipas programit të buxhetit",- thuhet në njoftimin për shtyp.
Në këtë fazë janë paraqitur shtatë oferta nga institucione financiare ndërkombëtare, të tilla si Raiffeissen Bank, Deutche Bank, Alpha Bank, J.P. Morgan, Citigroup, Credit Suisse dhe BNP Paribas.
Në ditët që vijnë, Ministria e Financave do të bëjë vlerësimin e ofertave për të shpallur fituesit. "Suksesi i arritur në këtë dalje në tregun financiar botëror, dëshmon për vlerësimin pozitiv dhe besimin që ka ekonomia shqiptare në tregjet financiare botërore, duke marrë në konsideratë faktin se këto tregje janë përfshirë tashmë në një krizë të rëndë", - thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Finanacve. Interesi i kredisë tregtare do të varet nga euribori, i cili është një indeks zyrtar që llogaritet si një mesatare ditore e normave të interesit të huave ndërbankare në euro, të negociuara ndërmjet 64 bankave më të mëdha.
Vitin e kaluar, qeveria mori një kredi tregtare prej 230 milionë eurosh, me një interes euribor plus 1.25% interes nga dy banka të huaja. Kredia tregtare prej 300 milionë eurosh do të shkojë kryesisht për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash dhe financimin e disa projekteve të tjera publike. Javën e kaluar, interesi në tregun ndërkombëtar i euriborit ishte rreth 2.22% për 12 muaj.
Gjatë vitit të kaluar, ky interes ka qenë mesatarisht në nivelin e 3%. Në buxhetin e vitit 2009, qeveria ka parashikuar 30 miliardë lekë, ose rreth 240 milionë euro për financimin e këtij aksi rrugor. Disa muaj më parë, ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se qeveria do të kërkojë borxh në tregun ndërkombëtar, pasi sipas tij, interesat në tregun vendas ishin shumë të larta.
Sipas ministrit të Financave, me kalimin nga borxhi i brendshëm tek borxhi i jashtëm, për një shumë prej 300 milionë eurosh, ekonomisë shqiptare dhe bankave në Shqipëri do t'u çlirohen 300 milionë euro, që do të përdoren për të kredituar biznesin. Në mes të muajit të kaluar, qeveria ka blerë një borxh me afat dy-vjeçar. Ajo ofroi 4.7 miliardë lekë, me afat maturimi 2 vjet dhe interes 9.15%.