E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama u shkruan Berishës e Bashës: “Të shkarkohet prefekti i Tiranës”



Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka reaguar ashpër përmes një letre drejtuar kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, pas kërkesës së prefektit Keltis Kruja për bllokimin e fondeve të buxhetit e ku kërkon shkarkimin e prefektit dhe bën me dije se ka depozituar kallëzim për ndjekje penale ndaj tij.
Duke e cilësuar si të papërgjegjshme deklaratën e prefektit Kruja dhe sulm politik të pushtetit qendror ndaj Bashkisë së Tiranës, Rama thekson se auditimi për fondin e veçantë nga prefekti është i pambështetur në ligj dhe cenon rëndë parimet e Kushtetutës që kanë të bëjnë me decentralizimin dhe autonominë vendore, e sanksionuar kjo dhe nga Karta Europiane e Autonomisë Vendore.
Duke e akuzuar prefektin për mungesë përvoje në fushën vendore, për shkak dhe të kohës së shkurtër në drejtimin e këtij institucioni, Rama shprehet se disa nocione të përdorura nga prefekti përsa i përket ushtrimit të funksionit të tij, i përkasin kuadrit të kaluar ligjor dhe nuk janë më në fuqi. Në letër më tej shkruhet se “urdhri i ministrit të Financave i datës 03.05 2010 është keqinterpretuar pasi struktura e auditit të brendshëm duhej të dërgonte brenda afatit të përcaktuar të dhënat në lidhje me përdorimin e fondit të veçantë nga vetë institucioni i prefektit. Duke iu referuar pikës 36 në nenin 3 të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor, përcaktohet se auditi i brendshëm është një veprimtari e pavarur brenda njësisë së qeverisjes së përgjithshme, çka vërteton se prefekti nuk ka asnjë kompetencë kontrolli për fondin e veçantë të Bashkisë së Tiranës dhe auditi i kërkuar prej tij është i paligjshëm”, - ka shkruar Rama.

Presidenca belge e BE-së, asnjë datë për liberalizimin e vizave për Shqipërinë

Belgjika ka prezantuar prioritetet e Presidencës së BE-së, por nuk ka dhënë asnjë datë për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Kryeministri belg, Iv Leterme, deklaron se duhen plotësuar kushtet. Sa i përket Shqipërisë, Leterme u shpreh se ajo duhet të ndihmojë veten që të ndihmohet nga Brukseli. “Përsa i takon liberalizimit të vizave, ky është një proces që bazohet mbi meritat. Dhe kur më pyesni se kur do të vendosni, kjo varet shumë nga progresi që do të dëshmohet në terren për kënaqjen e kritereve të kërkuara. Por, një gjë është e sigurt: që kur shohim vendet që kërkojnë të bëjnë progres në këtë fushë, si Presidencë ne e dimë shumë mirë që kjo pjesë mbetet çështje kyçe. Ne do ta shohim procesin në mënyrë pozitive, por, në të njëjtën kohë apelohet për kushtet. Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë, pra rregulloni ato çështje të domosdoshme, në mënyrë që të bëni progres në këtë fushë”, - është shprehur Leterme.

26 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›