E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: “Ja arsyet pse mbeten të larta interesat e kredive”



Ervin KOÇI

Konsumatorët shqiptarë janë të dënuar që të paguajnë interesat më të larta të kredive në të gjithë Europën. Edhe pse niveli i depozitave ka shënuar rritje të konsiderueshme vitet e fundit, interesi i kredive si për qytetarët po ashtu edhe për bizneset vazhdon të ngelet i lartë, pothuajse dy-fish a më shumë se vendet e Bashkimit Europian. Këshilltari i kryeministrit për ekonominë Petraq Milo, ka deklaruar se niveli i kredive të pakthyera si dhe menaxhimi jo i mirë i riskut nga vetë bankat, janë dy prej arsyeve kryesore që ndikojnë në interesin e kredive. Sipas Milos, “interesi i kredive bankare do të mbetet i lartë për aq kohë sa portofoli i kredive me probleme që bankat kanë, do të jetë i pa stabilizuar ose më i lartë nga kufiri që ka vendosur Banka Qendrore”. Më tej eksperti i ekonomisë dhe njëkohësisht edhe këshilltari i kryeministrit Berisha për çështjet ekonomike, ka sqaruar përgjegjësinë që i lind BSH-së në një rast të tillë. “Banka e Shqipërisë duhet të jetë arbitri në këtë rast në fushën e lojës dhe nuk duhet të lejojë bankat private që të tregohen të pakujdesshme në kredidhënie dhe në mbajtjen e kolateralit. Por në se banka Qëndrore e toleron atë edhe në ato raste kur bankat e kalojnë kufirin e portofolit të kredive me probleme, atëherë Banka bëhet përgjegjëse në këtë risk”,- ka thënë eksperti. Nga ana tjetër vetë Guvernatori i BSH-së, pak ditë më parë u bëri thirrje bankave të jenë më të kujdesshme në normat e interesit, pasi duhet të jenë më shumë të orientuara drejt normës bazë që ka vendosur Autoriteti Qendror.

Norma e interesit
Normat e interesit në lek që ofrojnë bankat e nivelit të dytë në vend variojnë nga 18 deri në 23% për kreditë konsumatore, ndërsa për kreditë e bizneseve apo apartamenteve arrijnë deri në 15 %. Nga ana tjetër edhe kreditë në valutë kryesisht në euro arrijnë deri në 9 %, në varësi të shumës monetare që kërkon të marrësh. Guvernatori Fullani ka deklaruar pak ditë më parë se, "bankat duhet të jenë më efektive në likuiditetin e lekut, po ashtu edhe të valutave. Ruajtja e rezervave monetare është objektivi kryesor i BSH-së për të mbajtur situatën në nivelin e duhur”. Gjatë një forumi me bankat e nivelit të dytë, guvernatori u kërkoi operatorëve në treg reagim të shpejtë të zbatimit të kësaj nisme, e cila në thelb ka për qellim një ndarje më të mirë të likuiditetit mes tyre. Normat e larta te interesit sidomos për kreditë por edhe për komisionet që aplikojnë bankat janë problemi kryesor i tregut financiar. Ky fakt ka stepur ndjeshëm edhe kërkesën konsumatore për të marrë kredi. Këshilli Mbikëqyrës i bankës qendrore pritet të mblidhet në fund të muajit për të diskutuar mbi politikën monetare që do të ndiqet në periudhën në vazhdim. Sipas ekspertëve të ekonomisë, mundësitë janë për një ulje të mëtejshme të kostos së parasë, një mase kjo e cila do të ndikojë në zvogëlimin e interesave të borxhit të qeverisë.

Vështirësitë
Vështirësitë e bizneseve dhe qytetarëve në kthimin e kredive, ka qenë një ndër faktorët që bankat po tregohen të rezervuara në kreditimin e mëtejshëm të ekonomisë. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, “që prej fundit të vitit 2008, sistemi bankar vendas po zbaton politika shtrënguese në kreditim duke i zgjedhur me kujdes klientët”. Bankat po kreditojnë sektorët me më pak risk, si tregtia dhe shërbimet dhe për periudha të shkurtra kohe ndërkohë që po mbështesin më pak me financime individët. Bankat u përballën me vonesa masive në shlyerjen e kredive gjatë vitit të kaluar, si pasojë e krizës financiare ndërkombëtare dhe impaktit të saj në Shqipëri. Kreditë nënstandarde që njihen gjerësisht si “kredi të këqija”, u rritën nga 6.82 për qind e totalit të kredive në janar 2009, në 11.8 për qind në shkurt të këtij viti. Për pasojë, bankat filluan të rrisin interesat për kreditorët e rregullt për të kompensuar humbjet. Për shkak të interesave të larta të kredive në vendin tonë, rritja e kredive nënstandarde shkaktoi rënie të fitimeve të bankave, por jo humbje për to.

Klientët e këqij
Kreditë e këqija i përkasin veçanërisht klientëve të kategorisë së biznesit. Ato janë pjesërisht rezultat i garës së fortë mes bankave për të kapur tregun e kreditimit gjatë viteve 2004-2008, kur portofolat e tyre të kredive u rritën me 50-70 për qind në vit. Rritja e shpejtë e kredive, si dhe presioni mbi oficerët e kredive për të firmosur sa më shumë kontrata, duket se solli edhe gabime në këtë proces.

26 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›