Bulqizë, pezullohen 7 leje minerare, reduktohen sipërfaqet e shfrytëzimit
Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës ka vendosur të pezullojë 7 leje në zonën minerare të Bulqizës, si dhe të reduktojë sipërfaqet e shfrytëzimit minerar për 5 leje të cilat mbivendosen në zona të rrezikshme të krijuara gjatë shfrytëzimit minerar të viteve të fundit. Sipas METE-s, kjo nismë është marrë për të parandaluar rreziqet që rrjedhin prej veprimtarive minerare në këtë zonë, ashtu si parashikohet dhe në planin e veprimit të firmosur nga Ministria e Ekonomisë, ajo e Brendshme, e Financave dhe e Punës dhe Çështjeve Sociale. Drejtori i Politikave për Zhvillimet Natyrore në METE, Dritan Ylli deklaroi se, "METE ka firmosur pezullimin e 7 lejeve, si dhe reduktimin e sipërfaqeve të shfrytëzimit minerar për 5 leje, të cilat mbivendosen me zona të rrezikshme të krijuara gjatë shfrytëzimit minerar të viteve të fundit”. Ministria e Ekonomisë në zbatim të këtij plani ka përgatitur një projekt-vendim që përcakton koordinatat e zonave të rrezikshme që ndalon rreptësisht shfrytëzimin e mineraleve në këto sipërfaqe pasi jo rrallë herë janë shënuar aksidente me pasoja të rënda.
Mediu: “Pushteti vendor të marrë masa, për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri”
Ministri i Mjedisit dhe Pyjeve, Fatmir Mediu, gjatë një takimi në prefekturën e Durrësit me krerë të institucioneve që merren me mbrojtjen e pyjeve, policisë dhe njësive të pushtetit vendor, ka kërkuar plan masash dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve në mbrojtje të pyjeve dhe kullotave nga zjarret, duke i kujtuar pushtetit vendor se një pjesë e mirë e tyre janë në menaxhimin e komunave dhe bashkive. Në qarkun e Durrësit janë dëmtuar nga zjarret afro 40 hektarë pyje dhe kullota. Gjatë stinës së nxehtë rreziku më i madh përveç atij për shkaqe natyrore, mbeten zjarret aksidentale dhe ato të vëna në mënyrë të qëllimshme për të siguruar më shumë kullota. Rrethi i Durrësit numëron mbi 8500 ha pyje dhe kullota dhe zonat më të prekura ndër vite janë ajo e Ishmit, zona e Currilave, e Porto Romanos dhe Gryka e minierës së Manzës, ndërsa në Krujë më të prekura mbeten zona e Krastës dhe Parku i Qafë Shtamës.
Lushnjë, fermerët i hedhin prodhimet pasi nuk u shiten
Fermerët e zonës së Darsisë në rrethin e Lushnjës duket se po ju ikën kot i gjithë mundi i vitit në të mbjellat e tyre. Banoret e fshatit Hysgjokaj janë izoluar prej muajsh, ndërsa e gjithë zona është e mbushur me sera si mundësia e vetme për të siguruar jetesën. Mungesa e rrugës dhe transportit ka lënë gjithë prodhimin pa shitur sepse fermerët nuk mund t'i afrohen tregjeve. Sasi të mëdha të prodhimeve bujqësore që shkatërrohen çdo ditë hidhen nga ana e fermerëve që ende janë në pritje të ndërtimit të rrugës që u shkatërrua gjatë reshjeve të shiut këtë vit.
26 Qershor 2010