E Hënë, 2 Nëntor 2026

Afër detit i zhuritur nga mungesa e ujit

09/03/2005  Investimet në Ujësjellës-Kanalizime, në nivele qesharake pas vitit 1990

DURRËS - Mbipopullimi i Durrësit në 15 vitet e fundit ka sjellë probleme serioze në shumë sektorë jetik në qytetin bregdetar. Megjithëse fondet, kryesisht në rehabilitimin dhe fuqizimin e sistemit energjetik dhe në ujësjellës-kanalizime, kanë qenë në një masë të kënaqshme, furnizimi me ujë vazhdon të mbetet ende pa shpresa përmirësimi. E rënduar është situata në të gjitha lagjet e qytetit të Durrësit, ku në një pjesë të tyre rubinetat lëshojnë ujë me “pikatore”, por jashtë kontrolli mbetet periferia.

Viti 2005, më pak ujë se para vitit 1990

Projektet, e hartuara në fillim të viteve ’90, me të cilat edhe operohet aktualisht, nuk kanë parashikuar rritjen e popullsisë së Durrësit, popullsi e cila deklarohet zyrtarisht se është dyfishuar. Ndonëse Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve e ka bërë prezent një fakt të tillë në institucionet vendore dhe ato

qendrore, drejtoria përkatëse, e cila ka bërë të mundur që të lëvizë “gurët” e shqyrtimit serioz të situatës, gjithçka ka mbetur në udhëkryq.

Pas vitit 2000, falë një investimi serioz të Bankës Botërore në shumën 15 milionë dollarë, u përmirësua rrjeti i furnizimit me ujë, por që tubacionet e shtrira në shumë pika e nyje nga ku kalon rrjeti u bënë objekt i ndërhyrjeve pa leje. Kjo madje, sipas drejtuesve të ndërmarrjes, e përkeqësoi edhe më tej situatën në pamundësi për të vënë para ligjit shpërdoruesit dhe personat që ndërhynë në rrjet. Ndërsa investimi parashikonte të përmbushë deri-diku kërkesat e 90 mijë banorëve të Durrësit, i

cili, sipas regjistrimeve të bëra një muaj më parë, arrin në 178 mijë, edhe pjesa e planifikuar nuk arriti të zgjidhë vështirësitë në pasjen e ujit një herë në ditë.

Humbjet në rrjet

Probleme paraqet edhe rruga e gjatë që përshkojnë tubacionet e ujit nga Fushë Kuqe deri në Durrës. Fakti se ato përshkojnë katër komuna në 50 km deri në rubinetat e qytetit të Durrësit ka dhënë shkas për justifikim të shpërdorimit. Megjithëse investimet në këtë rrjet nuk kanë munguar, tubacioni i shtrirë që në vitet 1970 ka bërë që uji të “firojë” në rrugën e gjatë, pasi tubat prej çeliku kanë pësuar amortizim dhe në shumë pika edhe nxjerrin ujin në sipërfaqe. Tubacionet e ujit të pijshëm janë bërë pre e shumë dhunuesve, të cilët pa leje kanë shtrirë tubat dhe me ujin e pijshëm vadisin tokën, arat dhe dynymët.

Sipas inxhinierëve të ujësjellësit, sasia e ujit e dalë në Fushë Kuqe është e mjaftueshme për të furnizuar me ujë të pijshëm, porse duhet menaxhim dhe sanksione të forta. Duke iu referuar prurjeve, specialistët janë të bindur se sasia e ujit mund të përballojë kërkesat e afro 450 mijë banorëve, ndërkohë që Durrësi është më pak se gjysma e kësaj shifre. Durrësi furnizohet nga ujësjellësi i Fushë Kuqes në rrethin e Kurbinit dhe shtresa ujëmbledhëse me prurje deri në 1.300 litra në sekondë justifikon gjithçka që pohojnë inxhinierët.

Koka paralajëmron “Berlinuasser”

Sipas statistikave, mësohet se në Durrës për përmirësimin e furnizimit të popullatës me ujë të pijshëm në 13 vitet e fundit janë investuar 22 milionë dollarë, ndërsa investimi nuk duket të ketë lënë gjurmë në rritjen e grafikut me ujë apo orarët e lëshimit të tij. Qyteti i Durrësit vazhdon të vuajë mungesën e ujit të pijshëm, veçanërisht në periferinë e tij.

Çështja është ngritur disa herë edhe pranë kompanisë gjermane “Berlinuasser”, e cila ka marrë përsipër të zgjidhë në një kohë të shkurtër këtë problem. Kompania, me qendër në Berlin, ka lidhur një kontratë me palën shqiptare dhe ka marrë shuma të mëdha për administrimin e ujit, por popullsia bregdetare e Durrësit vazhdon edhe tani, pas disa viteve nga nënshkrimi i kontratës, të mos vërejë përmirësime.

Për këtë arsye, gjatë një takimi të zhvilluar në bashkinë e Durrësit, kryetari i Bashkisë, Lefter Koka, e ka paralajmëruar për ndërprerje të kontratës, nëse gjërat nuk do të lëvizin në kahun e duhur.

Reagon Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve

“Pushteti vendor, i paafë të menaxhojë ujësjellësin”

Sipas drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve, Artan Zaimi, pushteti vendor, i cili pas vitit 2001 menaxhon ujin në kufijtë e shtrirjes së hartës administrative, ka bërë pak dhe aspak përpjekje për të qenë palë në përmirësimin e situatës. Ai kujton se për ujësjellësin është e pamundur të gjenden dhe ndëshkohen fajtorët që shpërdorojnë ujin për aq kohë sa pushteti vendor qëndron në hije.

“Komuna është e paaftë të administrojë ujësjellësit e përfunduar dhe nuk i merr në dorëzim stacionet e pompave të ndërtuara për komunitetin e tyre, dhe që do të lehtësonin furnizimin e qytetit të Durrësit”, ka thënë Zaimi.

Ai kujton se janë bërë 1.5 milionë euro investime për ndërtimin e

disa puseve në afërsi të Fushë Kuqes, porse administrimi tyre ka lënë për të dëshiruar.

68 për qind

shlyerja e konsumit të ujit

45 mijë abonentë

ujsjellësi i Durrësit

178 mijë banorë

qyteti Durrësit

Lagjet problematike

Spitallë

Shkozet

Plazh

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›