Vazhdojnë kërkimet për dy trupat e rënë në Bunë
09/03/2005 SHKODËR - Trupat e pajetë të Preç Dedës dhe Artur Erkocit të fundosur së bashku me makinën e tyre tip “Benz”, para dy ditësh në ujërat e lumit Buna, ende nuk janë gjetur. Edhe gjatë gjithë ditës së djeshme polumbarët e forcave të RENEA-s kanë kërkuar në ujërat e ftohta të lumit, duke u përqëndruar tashmë rreth rrënjëve të pemëve, pasi pjesën e lirë të ujërave para dhe pas urës së Bunës e kanë kontrolluar plotësisht, por pa dhënë asnjë rezultat. Polumbarët përveç se u përballën me ujin e ftohtë të lumit Buna, si pasojë të temperaturave të ulëta që kanë qenë këto ditë në qytetin e Shkodrës, u përballën dhe hasën vështirësi edhe me baltën e shumtë, që është grumbulluar rreth fundeve të pemëve, duke bërë të pamundur gjetjen e dy trupave të pajetë. Ndërsa, për sa i takon vajzës 28-vjeçare nga Vlora, pasaporta e së cilës u gjet në xhepin e xhaketës së të mbyturit Preç Deda, burimet nga policia bëjnë të ditur se vajza është gjallë në qytetin e saj Vlorë dhe se në momentin e fundosjes së autoveturës nuk ka qenë fare me dy të mbyturit. Polumbarët e RENEA-s do të vazhdojnë kërkimet përsëri edhe gjatë ditës së sotme, me shpresën se trupat do të gjenden, pasi pjesa më e madhe e zonës, ku mund të kenë përfunduar, është kontrolluar imtësisht. Preç Deda dhe Artur Erkoçi u mbyten rreth tri ditë më parë, për shkak të një aksidenti me makinë. Dy të rinjtë po ktheheshin nga një darkë në zonën e Shirokës, kur janë parë nga kalimtarë të rastit, banorë dhe peshkatarë, duke “fluturuar” në ujërat e Bunës. Megjithëse është dhënë menjëherë alarmi, duket se rrjedhja e madhe e lumit, për shkak të shirave të mëdha, që kanë rënë gjatë këtyre ditëve, e ka bërë të pamundur gjetjen e trupave pa jetë të dy të rinjve. Ky është një ndër rastet e rralla që ndodh një tragjedi e tillë në lumin e Bunës.