E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afera, Konkurrenca: Olldashi shkeli ligjin me monopolin e linjave të internetit

TIRANE- Autoriteti i Konkurencës deklaron se Olldashi ka shkelur ligjin për mbrojtjen e konkurencës kur i ka dhënë të drejtën ekskluzive firmës "Albanian Telecommunications Union” , për përdorimin e rrugëve kombëtare për shtrimin e fibrave optike, duke anuluar katër kontrata.

Lajmi bëhet publik në një përgjigje që ky institucioni, përgjegjës për mbrojtjen e konkurrencës në treg, i ka dërguar zyrtarisht të përditshmes “Panorama” e cila prej ditësh po publikon fakte dhe dokumente, të cilat flasin qartë se konkurrenca në treg jo vetëm është shkelur, por është monopolizuar në këtë sektor, për të paktën 40 vite.

Nga përgjigjja zyrtare e Autoritetit, nëse ishte shkelur apo jo ligji për “Mbrojtjen e Konkurrencë”, zbulohet që jo vetëm që konkurrenca është vënë në dyshim nga një kontratë e tillë, por duhej të kishte marrë mendimin e Autoritetit, përpara se të lidhte një kontratë të tillë. “Gjë që në këtë rast nuk është bërë”.

Saktësisht Autoritetit të Konkurencës thotë se është shkelur  Neni 69 i ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” që përcakton detyrimet e organeve të administratës qendrore dhe vendore për të marrë mendim nga Autoriteti sa herë që lidhin kontrata. Ligji kërkon që të jepen informacione nga institucionet për vendimet që mund të cenojnë konkurrencën dhe kërkimi i vlerësimit bëhet paraprakisht pa u marrë vendimi, gjë që në këtë rast nuk është bërë. "Kjo mund të përbëjë kufizim potencial të konkurrencës.”

Me pak fjalë, Autoriteti thekson se duhet të ishte marrë opinioni i tij para se Olldashi të firmoste urdhrin për lidhjen e kontratës. Kjo, pasi për çdo akt që mund të sjellë kufizime potenciale konkurrence duhet mendimi i Autoritetit që mbikëqyr konkurrencën. Pika tjetër është se Autoriteti i mëshon faktit se e gjithë kjo kontratë mund të përbëjë potencialisht kufizim të konkurrencës.

Sidoqoftë, për të gjithë këtë kontratë Autoriteti thekson se duhet edhe një vlerësim teknologjik nga institucionet përkatëse, si MITIK dhe AKEP. Këto të fundit dhe strategjia kombëtare mund të përcaktojnë sa dhe si do të zhvillohet teknologjia dhe, në këtë mënyrë, edhe sasinë e monopolizimit apo të frenimit të zhvillimit të tregut nga kjo kontratë.

Lajmin e plote mund ta lexoni ne ( http://www.panorama.com.al/argument/afera-konkurrenca-olldashi-shkeli-ligjin-me-monopolin-e-linjave-te-internetit)
(s.g/panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›