E Diel, 1 Nëntor 2026

Afera me fajdet, 3 administratorë në gjyq

 

Trazhgim Sokolaj

Tre administratorë të pronave të skemave piramidale “VEFA” dhe “SILVA” dërgohen të pandehur në gjykatë, për akuzën e abuzimit me pronat e ish-shoqërive huamarrëse, të falimentuara në vitin 1997.Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale me katër të pandehur: Daniela Riska, administratore e aseteve të ish-kompanisë “Silva”, Nasip Ahmeti (i dënuar) dhe Sabah Duckollari, ish-administratorë të aseteve të kompanisë “VEFA” dhe Viktor Frashëri, ish-kryetar i Entit të Prokurimeve Publike. Episodet për të cilat akuzohen këta persona janë të ndryshme, megjithatë të dyja kanë pasur të njëjtin efekt: dëme financiare në shifra marramendëse ndaj qytetarëve shqiptarë, që humbën paratë e tyre në firmat piramidale.
Heqja e debitorëve
Administratorët e fajdeve akuzohen se kanë “shpërdoruar detyrën” gjatë heqjes së rreth 2 mijë emrave nga listat e debitorëve. Ata kanë shfrytëzuar një vendim Qeverie të vitit 1998, i cili caktonte se ata persona që kishin më pak se 1 milion lekë të reja në fajde, hiqeshin nga listat e debitorëve. Në këtë mënyrë, administratorët kanë favorizuar personazhe VIP, të cilët i kanë hequr nga listat e borxhlinjve të fajdeve. Ata kanë copëzuar llogaritë e këtyre personave, duke i ndarë në shuma më pak se 1 milion lekë të reja dhe më pas i kanë hequr fare nga listat. Një abuzim i tillë, sipas hetimeve të prokurorisë, ka ndodhur në të paktën 2 mijë raste, ku në shumicën e tyre, personazhe VIP kanë arritur t’i shpëtojnë borxheve që kishin marrë në ish-skemat piramidale shqiptare. Prokuroria e konsideron këtë si një veprim të paligjshëm, që ka sjellë dëme ekonomike të pa llogaritshme për qytetarët që humbën kursimet e tyre.
Abuzimi me
1 miliard lekë
Episodi i dytë i abuzimit për të cilin akuzohen administratorët e fajdeve bën fjalë për procedurën e ndjekur gjatë shitjes së Parkut të Transportit Komunal në Tiranë, me sipërfaqe 8900 metra katrorë. Shitja e kësaj prone të ish-kompanisë “VEFA” përfundoi në vitin 2005, por procedura kishte filluar në 1999. Çmimi për të cilin u shit kjo pronë ka qenë rreth 1 miliard lekë. Kjo shumë u pagua nga një firmë e vetme, për shkak se organizatorët shkelën rregullat e konkurrimit në ankand duke favorizuar blerësin. Pas hapjes së ankandit për shitjen e Parkut në pronësi të VEFA-s, pretendenti për pronësinë e tokës me trashëgimi, bëri padi në gjykatë dhe shitja u pezullua. Më vonë, Gjykata e Lartë ia mohoi pronësinë këtij personi dhe zhbllokoi shitjen por administratorët e fajdeve me kreun e Prokurimeve, bënë një njoftim fiktiv për konkurrim, duke futur në procedurë vetëm një firmë. Dëmi i llogaritur nga Prokuroria për këtë shitje është së paku 300 milionë lekë, i llogaritur si çmim nën vlerën e pronës.

Të pandehurit

Daniela Riska,
Administratore e “SILVA”

Nasip Ahmeti
Sabah Duçkallari
Administratorë të “VEFA”

Viktor Frashëri
Enti i prokurimeve

Ahmeti, i dënuar për abuzime të tjera

Nasip Ahmeti, njëri nga administratorët që është dërguar së fundi në gjykatë, i pandehur me akuzën shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë dhe ankande publike, është dënuar edhe më parë për abuzime me asetet e piramidave, të cilat i ka pasur në administrim. Sipas prokurorisë, mësohet se ai ndodhet në burg duke vuajtur dënimin e mëparshëm tanimë që është akuzuar për herë të dytë për episode të tjera veprimesh të paligjshme me pronat dhe debitorët e fajdeve.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›