OSSH: Qyteti i Kukësit 24 orë me energji
KUKES - Qyteti i Kukësit, si rrallë ndonjëherë vitet e fundit, gjatë këtyre ditëve është furnizuar 24 orë me energji elektrike. Urdhri është dhënë nga OSSH-ja. Prej disa ditësh ky urdhër ka nisur të zbatohet, ndonëse nuk kanë munguar edhe ndërprerjet për shkak të probleme teknike. Burime nga OSSH-ja bënë të ditur, se dritat do t’u ndërpriten vetëm debitorëve. Ende nuk dihet, se si do të realizohet kjo ndarje, pasi për momentin, teknikisht duket e pamundur. Sidomos nëpër fshatra, ku gjendja është edhe më problematike, situata do të jetë e njëjtë, si për ata që e paguajnë energjinë, edhe për të tjerët që janë debitorë. Tashmë, agjencia rajonale po përpilon listën e punonjësve buxhetorë, të cilët nuk shlyejnë fatura. Sipas burime pranë agjencisë, ata i kanë borxh shtetit një shumë prej 43 milionë lekësh. Aktualisht, faturat në total shlyhen në masën 25 për qind. Familjarët shlyejnë 15 për qind të energjisë së shpenzuar. Punonjësit e shkarkuar pak ditë më parë nga drejtoi i KESH-it, Sahit Dollapi, shprehin pakënaqësinë e tyre për vendimin, sipas tyre, arbitrar. Ata shprehen se treguesit e OSSH-së kur ata u pushuan nga puna ishin shumë të mira. Por gjithsesi, tashmë agjencia ka marrë masa, që qyteti i Kukësit të mos e vuajë mungesën e energjisë, ndonëse ende nuk dihet skema, se si do të operohet për ndërprerjen të debitorëve. j.h