E Diel, 1 Nëntor 2026

Princ Leka: Të rishkruhet historia për 7 prillin

 

DURRES/ OERD ULQINI

Të rishkruhen librat e historisë. Kërkesa u bë dje nga Princ Leka gjatë përkujtimit të ditës së pushtimit italian, në 70-vjetorin e saj. Bashkë me legalistë, ai e ka cilësuar 7 prillin si "ditën e rezistencës që mbreti Zog organizoi ndaj pushtimit fashist". Për herë të parë legalistët ngritën flamujt e tyre në ceremoninë e zhvilluar për të kujtuar atë që ndodhi më 7 prill 1939. Madje, nga Durrësi ata kanë bërë kërkesën për ndryshimin e librave të historisë, për t'i dhënë meritën e marrë nga komunistët, zogistëve. "Kjo datë u kushtohet patriotëve nacionalistë dhe zogistë. Fatkeqësisht këtë vepër e kanë përvetësuar komunistët e pasardhësit e tyre dhe disa historianë vazhdojnë të shtrembërojnë të vërtetën historike", u shpreh Princ Leka. Sipas kreut të Partisë së Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahia, "Ahmet Zogu ishte patriot, por nuk i bënte dot ballë një fuqie si Italia". Spahia drejtonte dje një grup patriotësh të lëvizjes së legalitetit, së bashku me anëtarë të shoqatave "Çamëria", "Kosova" dhe të persekutuarve politikë, duke dhënë mesazhin se shqiptarët, 70 vjet pas këtij pushtimi duhet ta njohin të vërtetën. Deklaratat e legalistëve u bënë gjatë ceremonisë së jubileut të 70-të të pushtimit fashist në Durrës. Në torren simbol të kësaj rezistence u vendosën kurora me lule në përkujtim të veprës së rreshterit të marinës shqiptare, Mujo Ulqinakut, i cili së bashku me një grup të vogël patriotësh gjakosën të parët ushtrinë e Musolinit. Ishte preludi i Luftës së Dytë Botërore kur Durrësi dha një sinjal të fortë, se nuk do të pajtohej kurrë me nazi-fashizmin. Në fjalën e tij kryebashkiaku Vangjush Dako, përcolli mesazhin se "vepra e këtyre dëshmorëve do të jetë e pavdekshme në breza". Të pranishmit kanë vlerësuar sakrificat e atyre që u bënë qëndresë ditën e 7 prillit të 1939 ndaj fashizmit, duke dhënë jetën e tyre për këtë vend. Kreu i bashkisë së Durrësit, i cili hapi ceremoninë përkujtimore theksoi se, "liria u arrit me gjak e sakrifica, që na rreshtuan në atë kohë në aleancën antifashiste e që e kujtojmë me respekt të thellë sot pas 70 vjetësh, kur vendi ynë sapo është bërë pjesë e aleancës së lirisë, e NATO-s". Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë edhe krerë të tjerë vendorë, përfaqësues të forcave politike, veteranë si dhe shumë qytetarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›