Afera me plazhin e “Gjeneralit”, përgjimet vënë nën akuzë biznesmenin e njohur
Trazhgim Sokolaj
Listës së personave nën akuzë për tjetërsimin e 48 hektarëve tokë në Plazhin e Gjeneralit në Kavajë, iu shtua dje edhe një emër i njohur i biznesit. Ai u paraqit dje në Prokurorinë e Tiranës bashkë me avokatin e tij Sokol Çomo, ku sipas akuzës, është marrë i pandehur e më pas ka dëshmuar lidhur me tjetërsimin e pronës për të cilën po hetohet edhe ish-kreu i Agjencisë së Kthimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj. Lajmi është konfirmuar për gazetën "Panorama" nga burime zyrtare të organit të akuzës, sipas të cilave biznesmeni VIP, pronar i disa bizneseve të fuqishme në Tiranë, ka hyrë në prokurori në orën 10:05 të mëngjesit të djeshëm dhe ka dalë prej andej rreth dy orë më vonë, në 11:50. Sipërmarrësi, emri i të cilit nuk publikohet për shkak të hetimit, është marrë në pyetje nga prokurorët që po hetojnë dosjen me dhjetë zyrtarë të dyshuar për shkelje ligjore në procedurën e kthimit të pronës, me sipërfaqe 48 hektarë në Plazhin e Gjeneralit në bregdetin e Kavajës. I pandehuri i djeshëm, një nga emrat më të njohur të biznesit në Shqipëri dhe kryesisht në Tiranë, sipas Prokurorisë, dyshohet se qëndron pas gjithë asaj që ka ndodhur me pronën në bregdet, ku në emër të ish-pronave të familjes Shijaku, është aplikuar duke falsifikuar firmat e anëtarëve të familjes dhe avokatëve të tyre në "testament". Nënshkrimet janë falsifikuar jo vetëm në kërkesën e aplikimit për kthimin e pronës (qershor 2008), por edhe në dokumentet e vjetra, mbi të cilat pretendohej njohja e titullit të pronësisë në emër të familjes Shijaku, e cila nuk kishte dijeni fare për këtë proces.
Përgjimet
Prova kryesore me të cilën Prokuroria fajëson biznesmenin e dyshuar për implikim në skandal, janë përgjimet telefonike. Njësia Task-Force ka siguruar përgjime telefonike ku biznesmeni VIP është fiksuar teksa bisedon në telefon me të gjithë personat e implikuar në procedurën e kthimit të pronës në Plazhin e Gjeneralit. "Biznesmeni ka planifikuar, nxitur, ndjekur dhe realizuar procedurën e aplikimit dhe hartimit të dokumenteve të falsifikuara", thanë burimet nga Prokuroria. Një deklarim i tillë, sipas tyre, mbështetet në përgjimet telefonike dhe raportet e vëzhgimit të agjentëve, të cilat përmbajnë imazhe filmike, foto e regjistrime të takimeve mes personave të implikuar në skandalin e pronave në bregdet. Pavarësisht këtyre provave të pretenduara nga Prokuroria, mësohet se biznesmeni i njohur ka mohuar dje para prokurorëve çdo lidhje të tij me çështjen objekt hetimi. Në deklarimet e dhëna në prani të avokatit të tij Sokol Çomo, personazhi i njohur i botës së biznesit, ka mohuar implikimin e tij në procedurat e kthimit të pronës dhe njohjes së titullit të pronësisë për sipërfaqen në fjalë që shtrihet në 48 hektarë tek Plazhi i Gjeneralit në bregdetin e Kavajës. Përfituesi i pronës, e cila tashmë është bllokuar për shkak të ndërhyrjes së Prokurorisë, mbi bazën e falsifikimit të dokumenteve dhe shkeljes së ligjit nga zyrtarët shtetërorë, ishte bërë pronar i sipërfaqes së tokës me vlerë tregu 24 milionë euro.
30 dëshmitarë
Zyra Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës mësohet se ka "kopsitur" dosjen e skandalit të pronave me prova ku përfshihen përgjime, ekspertiza, dokumente shkresore, raport-vëzhgime përgjimi dhe filmimi apo fotografimi ambiental si dhe thënie dëshmitarësh. Sipas burimeve zyrtare të organit të akuzës, 30 dëshmitarë janë marrë në pyetje në prokurori që nga tetori 2008 deri më tani lidhur me këtë çështje. "Të gjithë këta persona kanë dhënë deklarimet që plotësojnë elementët e provës për akuzat e ngritura deri më tani, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh zyrtare", thanë burimet e Prokurorisë.
Vatnikaj mohoi akuzat, vartësit: Ai na bëri presion të firmosnim
TIRANE – Njësia Task-Forcë Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës ka marrë në pyetje ish-kryetarin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave lidhur me skandalin e Plazhit të Gjeneralit. Ish-zyrtari i shkarkuar javën që shkoi, ka firmosur në fund të procedurës për kthimin e pronësisë së 48 hektarëve në bregdetin e Kavajës. “Ish-kryetari i Agjencisë i pyetur në prokurori në cilësinë e personit në hetim, fillimisht ka pretenduar se nuk kishte dijeni për çështjen, më pas ka thënë se procedura ishte realizuar nga vartësit e tij dhe nga Agjencia rajonale e Kthimit të Pronave të Tiranës”, thanë burimet zyrtare. Ndërkaq, të paktën katër ish-vartës të tij, shumica të shkarkuar nga detyra prej ish-shefit të AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, gjatë dëshmive në prokurori e kanë implikuar ish-zyrtarin e lartë. “Katër ish-vartës të Tunxh Vatnikajt në Agjencinë Qendrore të Pronave, por edhe në atë të Tiranës, kanë dëshmuar gjatë pyetjes si persona në hetim, se ish-kryetari i AKKP-së u ka kërkuar madje në disa raste i ka nxitur për të kaluar dhe miratuar procedurën e kthimit të pronës për sipërfaqen e 48 hektarëve në Plazhin e Gjeneralit”, thanë burimet zyrtare të Prokurorisë. Sipas tyre, pavarësisht dëshmive të katër ish-vartësve të Tunxh Vatnikajt, mësohet se në dosje janë administruar dhjetëra raste të bisedave të përgjuara që Vatnikaj ka kryer me ish-vartësit e vet, ku interesohet për procedurën e kthimit të pronës me dokumente false, dhe nxit punonjësit për realizimin e këtij veprimi. Prokuroria konfirmoi se veprimet e ish-kryetarit të AKKP-së, Tunxh Vatnikaj kanë arritur deri aty sa ai është “hakmarrë” ndaj ish-vartësve, të cilët nuk kishin pranuar të vazhdonin procedurën për tokën te Plazhi i Gjeneralit, pasi kishin evidentuar faktin se dokumentacioni ishte i falsifikuar. Bëhet fjalë për kërkesën e kthimit të pronës të hartuar në emër të ish-pronarëve Nexhmi e Jonuz Shijaku, dokumentet e vjetra të pronësisë dhe plan-vendosjen e sipërfaqes së tokës. E gjithë përmbajtja e dosjes ka qenë e falsifikuar, ndërsa mbi këtë dokumentacion, AKKP ka miratuar procedurën dhe ka vendosur kthimin e pronës, Hipoteka e ka regjistruar atë, ndërsa topografët kanë bërë verifikim të rremë në terren duke zhvendosur tokën në dokumente, nga Mali i Robit tek Gjiri i Gjeneralit. tr.so
Akuza: Prova përgjimet e biznesmenit
Biznesmeni i njohur, i cili për dy orë qëndroi dje në prokurorinë e Tiranës rrezikon akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek punonjësit shtetërorë”. Një fakt i tillë u konfirmua dje nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave sipërmarrësi i suksesshëm është interceptuar teksa ka komunikuar personalisht me personazhet kryesore që janë realizuar skenarin e tjetërsimit të 48 hektarëve tokë në bregdet në vendin e quajtur Gjiri i Gjeneralit. Përgjimet telefonike dhe përputhja e tyre me personat që kanë firmosur dhe kaluar në duar dosjen false, konsiderohen si prova të forta të akuzës. Prokuroria tha se nuk ka arritur të zbardhë elementë korruptive në këtë histori, për shkak se hetimet filluan kur pjesa kryesore e veprimeve ishin kryer, megjithatë shkelja e ligjeve dhe falsifikimet, konsiderohen tashmë të provuara.