E Shtunë, 31 Tetor 2026

Madhi: Mblodhëm firmat për Zgurin dhe Braçen

 

Dalin emrat e parë të kandidatëve për anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Partia Republikane ka Klement Zgurin dhe Arben Braçen, si kandidat të saj për anëtar të KQZ-së. Emrat e republikanëve janë depozituar pranë zyrës juridike të Kuvendit me të gjitha firmat e deputetëve që kanë nënshkruar pro dy emrave të republikanëve. Zguri aktualisht është anëtar i KQZ-së dhe u risoll sërish për të qenë në këtë institucion, për shkak se është një nga njerëzit më me eksperiencë në këtë fushë. Ndërsa Arben Braçe mësohet se aktualisht punon në Ministrinë e Drejtësisë. Madhi deklaroi dje se “me mbi 40 firma, të mbledhura nga deputetët e maxhorancës, i kanë mbyllur rrugën PDK-së për të propozuar anëtarë në KQZ”. Ndërsa mësohet se nga PSD-ja po punohet në mbledhjen e firmave për t’i depozituar pranë zyrës së Kuvendit. Socialdemokratët po bashkëpunojnë me PS-në për këtë proces. Ndërsa mësohet se emrat e mundshëm mund të jenë Pandeli Varfi, ish-anëtar i KQZ-së dhe Pavlli Zëri. Ndërsa nuk përjashtohet mundësia e paraqitjes së një anëtari aktual të KQZ-së nën siglën e PSD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›