Legalizimet, tapitë për 3859 familje
Fabiola Çela
Qeveria ka miratuar dje legalizimin e 3859 objekteve informale. Nga ky vendim i qeverisë përfitojnë 6 qarqe të vendit. Por miratimi i këtyre objekteve informale është bërë shkak për debate mes vetë kabinetit qeveritar.
Zonat
Ashtu siç është deklaruar edhe më parë, objektet e para që legalizohen janë pikërisht ato ndërtime të cilat nuk kanë probleme pronësie. Sipas të dhënave nga ALUIZNI-i, rezulton se pjesa më e madhe e këtyre objekteve janë ndërtuar në toka me pronësi shtetërore. Por për herë të parë një pjesë e mirë e këtyre parcelave që janë futur në proces legalizimi nuk kanë statusin juridik, pasi këto zona kadastrale nuk janë përfshirë ende në sistemin e regjistrimit. Vetëm për qarkun e Tiranës është miratuar legalizimi i 672 parcelave ndërtimore. Ndërsa në qarkun e Elbasanit është miratuar legalizimi i 1526 parcelave ndërtimore. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje legalizimin e një sërë ndërtimesh informale edhe në qarkun e Shkodrës, Vlorës, Beratit dhe Durrësit. Sipas ligjit të legalizimeve, qytetarët që të marrin titujt e pronësisë, nuk do të kenë nevojë të prodhojnë dokumente pronësie, si harta, gen-plane, planimetri, sepse dokumentacioni i pronësisë i dhënë nga ALUIZNI është në përputhje me të gjitha kriteret e duhura ligjore. Gjithashtu dokumentacioni i pronësisë është i disponueshëm në dy versione, versionin manual dhe atë elektronik, është dokumentacion i certifikuar dhe i zyrtarizuar me të gjitha të dhënat e pronësisë.
Debati
Ministria e Financave është shprehur parimisht dakord me projektvendimin, por ajo e ka cilësuar si të domosdoshëm evidentimin e implikimeve në kompensimin e ish-pronarëve si kosto që nuk është parashikuar në këtë projektvendim. Lidhur me këtë, Ministra e Punëve Publike ka sqaruar se procedurat e kompensimit për ish-pronarët miratohen me vendimeve të veçanta të Këshillit të Ministrave rast pas rasti, ndërkohë që sipas ligjit të ardhurat që merren nga legalizimi i këtyre objekteve përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Një tjetër pikë debati mes Ministrisë së Financave dhe asaj të Punëve Publike ka qenë edhe mosgarantimi nga ana e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të gjendjes juridike të një pjese të parcelave që janë bërë pjesë e procesit të legalizimeve. Sipas Ministrisë së Financave një mungesë e tillë mund të vështirësojë regjistrimin e pasurive të legalizuara. Por lidhur me këtë mangësi, ministria ka sqaruar se është Agjencia e Legalizimeve ajo që e ka për detyrë që gjatë plotësimit të dokumentacionit tekniko-ligjor të shfrytëzojë vetëm informacion konfirmues nga ZVRPP për statusin juridik të këtyre pasurive në proces legalizimi. Ndërsa Ministria e Drejtësisë ka sugjeruar që të hartohet një projektvendim i veçantë, ku të përcaktohen kriteret që duhet të ketë parasysh ALUIZNI gjatë kryerjes së procedurave për kalimin e pronësisë së parcelave të objekteve informale. Por lidhur me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, Ministria e Punëve Publike është shprehur se hartimi i një projektvendimi të tillë është i panevojshëm, pasi këto kritere janë tashmë të përcaktuara në ligjin e legalizimeve.
Zonat e miratuara
Qarku Tiranë
Në qarkun e Tiranës janë 672 parcela ndërtimore që i përkasin objekteve informale me sipërfaqe të përgjithshme trualli 22579140 m2. Objektet informale ndodhen në:
zonën kadastrale nr.2884 Paskuqan
zonën kadastrale nr.8170 blloqet 1, 7
zonën kadastrale nr.8240 blloqet 4, 5
zonën kadastrale nr.8110 blloqet 2, 3, 6, 7
Gjatë verifikimit të statusit juridik të pasurive rezulton se ZVRPP Tiranë nuk ka informacion për zonën e Paskuqanit. Ndërkohë për parcelat e tjera ZVRPP Tiranë nuk garanton gjendjen juridike të pasurive përkatëse, pasi këto zona kadastrale nuk janë inkuadruar ende në sistem.
Qarku Shkodër
Në qarkun e Shkodrës projektvendimi parashikon kalimin e pronësisë për 405 parcela ndërtimi me sipërfaqe të përgjithshme 12756568 m2. Parcelat ndodhen në:
zonën kadastrale nr.8594
zonën kadastrale nr.8591
Gjatë verifikimit të statusit juridik të pasurive ku përfshihen këto parcela ZVRPP Shkodër konfirmon statusin aktual në pronësi shtetërore të këtyre trojeve.
Qarku Elbasan
Në qarkun e Elbasanit parashikohet kalimi i pronësisë për 1526 parcela ndërtimore me sipërfaqe të përgjithshme 541 262 74 m2. Objektet ndodhen në:
zonën kadastrale nr.8527
zonën kadastrale nr.8526
zonën kadastrave nr.8523
Gjatë verifikimit mbi statusin juridik të parcelave ndërtimore në zonën kadastrale nr. 8526 dhe atë me numër 8527 ZVRPP Elbasan nuk garanton statusin juridik të pasurive përkatëse, pasi këto zona kadastrale nuk janë përfshirë ende në sistemin e ri të regjistrimit.
Qarku Vlorë
Në qarkun e Vlorës është parashikuar kalimi i pronësisë për 690 parcela të objekteve informale me sipërfaqe të përgjithshme 296 218 70 m2. Ato ndodhen në:
zonën kadastrale nr.8601 Bashkia Vlorë
zonën kadastrale nr.8604 Bashkia Vlorë
zonën kadastrale nr.8605 Bashkia Vlorë
zonën kadastrale nr.1060 Komuna Qendër
zonën kadastrale nr.8641 Bashkia Sarandë
Zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme konfirmon se statusi juridik i parcelave ndërtimore në këto zona kadastrale është pronë shtetërore. Ndërsa zonat në bashkinë e Sarandës dhe komunën Qendër nuk janë të përfshira në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Qarku Berat
Në qarkun e Beratit parashikohet kalimi i pronësisë për 56 parcela ndërtimore me sipërfaqe prej 15 897 10 m2, të cilat ndodhen në:
zonën kadastrale nr.8502 (Blloku 2)
zonën kadastrale nr.8502 (Blloku 2-shtesë)
zonën kadastrale nr.8502 (Blloku 3)
zonën kadastrale nr.8502 (Blloku 4)
Gjatë verifikimit mbi statusin juridik të parcelave ndërtimore në zonën kadastrale 8502 ZVRPP Berat nuk garanton statusin juridik të pasurive të paluajtshme, pasi kjo zonë nuk është e regjistruar në sistemin e ri të regjistrimit.
Qarku Durrës
Për qarkun e Durrësit projektvendimi parashikon kalimin e pronësisë për 510 parcela ndërtimore me sipërfaqe 1 626 369 63 m2 të cilat ndodhen në:
zonën kadastrale nr.8517 Bashkia Durrës, ish-Këneta
zonën kadastrale nr.1664 bashkia Fushë-Krujë
zonën kadastrale nr.8513 bashkia Durrës ish-Këneta
ZVRPP Durrës dhe ajo e Fushë-Krujës kanë konfirmuar se statusi juridik i parcelave ndërtimore të këtyre objekteve pa leje është pronë shtetërore.