E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, mbërrin nga Kroacia trupi i peshkatarit Jani Golaj

 

VLORE - Trupi i Jani Golaj, peshkatarit që u gjet në ujërat kroate, mbërriti mbrëmë në Vlorë. Ndonëse morti për familjen e tij ka nisur ditë më parë, nuk dihet kur përfundon, deri në gjetjen e trupit të vëllait tjetër të tij, Spiro Golaj. Megjithë kërkimet në det, policia kroate nuk ka mundur të identifikojë asgjë gjurmë të tij. Trupi i Jani Golaj mbërriti dje rreth orës 14:30 në pikën e kalimit Kufitar të Muriqanit. Familjarë dhe të afërm të viktimës qëndruan me orë të tëra në pritje, derisa autoritetet kroate, në bashkëpunim edhe me ato malazeze, dorëzuan zyrtarisht trupin tek pala shqiptare. Në shtëpinë e viktimës në Vlorë, morti ka nisur disa ditë më parë. Dje, pasi të afërmit mësuan lajmin e mbërritjes së trupit, pritën viktimën në shtëpinë e tij për t’i bërë edhe nderimet e fundit. Ngushëllimet për këtë familje janë të rënda. Disa ngushëllojnë viktimën, e të tjerë urojnë të paktën të gjendet edhe trupi i të vëllait. Vetëm atëherë do të mbyllet morti në këtë familje. Trupi mbërriti mbrëmë në Vlorë rreth orës 19:00, ndërsa sot pritet t’i jepet lamtumira e fundit në varrezat e fshatit të lindjes. Të afërmit e viktimës i ribëjnë thirrje shtetit të gjejnë Sotir Golaj. Ai vijon të rezultojë i humbur, ndërsa shpresat duket se po veniten për gjetjen e tij. Vëllezërit e viktimave u shprehën dje të indinjuar se nuk janë lejuar që të kenë asnjë kontakt me Romeo Purizin, të mbijetuarin e vetëm të kësaj tragjedie. “Duan të dëgjojnë nga goja e tij se si kanë rrjedhur ngjarjet dhe çfarë ka ndodhur me ta”, u shprehën të afërmit e viktimës. Purizi u gjet i gjallë nga trupat detare kroate në ishullin Mljet, pas 6 ditësh kërkimi. Peshkatarët dolën në det më 18 janar, ndërsa më 20 janar, familjarët dhanë alarmin pas telefonatës së tyre për ndihmë.                      r.d/q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›