Tatimet, ikën Sefgjini vjen Artur Papajani
Është shkarkuar dje nga detyra e tij drejtori i Përgjithshëm i administratës tatimore, Arben Sefgjini. Shkarkimi i tij ka ardhur vetëm pak kohë pas kritikave të bëra nga zëvendësministri i Financave, Florjon Mima. Ai e ka kritikuar Sefgjinin gjatë analizës vjetore të kësaj administrate për praktikat që duhet të kishte ndjekur administrata tatimore për të luftuar korrupsionin. Ndërkohë mësohet se në vend të Sefgjinit do të emërohet Artur Papajani, i cili më parë ka punuar në seksionin e pagesave të tatimit mbi vlerën e shtuar. Sefgjini u emërua në krye të kësaj administrate në janar të vitit të kaluar. Ndërkohë përpara tij në krye të administratës tatimore ishte Gerta Picari, e cila u shkarkua në janar të 2008-ës. Shkak për largimin e Picarit ishin rezultatet e ulëta në arkëtimin e taksave. Picari u emërua në këtë detyrë në 2007-ën, pas dorëheqjes së Alfred Priftit. Që në këtë kohë administrata tatimore kishte nisur të mos realizonte dot planin në mbledhjen e detyrimeve tatimore, situatë e cila vazhdoi të mbetej edhe nën drejtimin e Picarit. Ndërkohë gjatë analizës për vitin 2008 të kësaj administrate u vu re sërish një mosrealizim i planit të përcaktuar nga qeveria. Si për 2008-ën edhe për 2007-ën të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore kanë qenë nën nivelin e parashikuar, çka ka ngjallur mjaft pakënaqësi te drejtuesit e qeverisë, çka është bërë shkak edhe për shkarkimet e drejtuesve të kësaj administrate.