E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qafë-Kërrabë, aksidentohen 5 oficerë

 

Etleva Delia / Aldo Kozaria

Aksidentohen në Qafë-Kërrabë dy makina ku udhëtonin oficerë të policisë. Katër specialistë të Antidrogës së Tiranës u përplasën me makinën e shefit të policisë së qarkullimit në Elbasan, pranë km 29. Ata po ktheheshin nga Elbasani, ku patën kryer verifikime në kuadër të operacionit “Mesfushori 1”, por rrëshqitja nga reshjet e djeshme u ka rrezikuar jetën. Dy prej tyre, shefi i Antidrogës, Edmond Halo dhe oficeri Sokol Myrto ndodhen në gjendje të rëndë, në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ndërsa shefi i qarkullimit, Koço Simaku dhe oficerët Bledar Rreshka e Arben Mimami, janë dërguar në spitalin e Elbasanit. Nga burime të policisë pohohet se 4 oficerët e Antidrogës, që kryejnë hetimet për grupin e arrestuar, bashkë me presidentin e Elbasanit, Arben Laze, po udhëtonin në një makinë “BMW”. Të njëjtat burime sqaruan se katër oficerët e aksidentuar kanë qenë duke u kthyer nga Elbasani, pas disa verifikimeve që kishin nisur mëngjesin e djeshëm, në kuadër të operacionit antidrogë, “Mesfushori 1”, që arrestoi katër persona dhe sekuestroi 5 kilogramë drogë. Lajmi konfirmohet nga burime konfidenciale të policisë, pasi gjithçka po kryhej në fshehtësi të plotë. Simaku, po drejtonte një makinë fuoristradë, ndërsa udhëtonte nga Tirana në drejtim të Elbasanit. Rreth orës 13:00, dy makinat janë gjendur përballë njëra-tjetrës, në një nga zonat më të rrezikshme të Qafë-Kërrabës. Në një terren të rrëshqitshëm dhe aks tepër të ngushtë, asnjë prej drejtuesve të mjeteve nuk ka mundur të shmangë në kohë përplasjen e drejtpërdrejtë. Goditja ka qenë tepër e fuqishme, sa të pestë personat janë dëmtuar rëndë. Udhëtarët e rastit kanë dhënë alarmin, duke u munduar që të nxjerrin të plagosurit nga makina. Nga dëmtimi i makinës, ka qenë tepër e vështirë që të nxirret menjëherë shefi i Antidrogës, Halo. Për këtë, forcave që mbërritën në aksion u është dashur që të sharrojnë një pjesë të mbulesës së makinës “BMW”, duke i shpëtuar jetën në kohë atij. Për shkak të gjendjes së rëndë, një helikopter ka bërë transportimin e Halos dhe të Myrtos drejt Spitalit Ushtarak. Ndërsa Simaku, Mimani dhe Rreshka, pas ndihmës së parë në Spitalin e Elbasanit, janë përcjellë për në Tiranë. Sipas mjekëve, ata kanë pësuar fraktura të shumta në trup.
Grupi hetimor i ngritur për zbulimin e shkaqeve të aksidentit, ende nuk ka përcaktuar fajtorë për këtë përplasje, por sipas të dhënave paraprake dyshohet se makinat kanë rrëshqitur si pasojë e lagështirës së krijuar në rrugë nga reshjet e ditëve të fundit. Për shkak të aksidentit të rëndë, për disa orë aksi nacional që lidh Tiranën me Elbasanit ka qenë i bllokuar. Si pasojë e kësaj ngjarjeje, janë pezulluar dhe veprimet me dosjen hetimore “Mesfushori 1”, e cila çoi në pranga Arben Lazen, president i klubit të futbollit të Elbasanit, vëllain e tij dhe dy persona të tjerë.

Të plagosurit

1. Edmond Halo, shef i Antidrogës, Tiranë
2. Bledar Rreshka, oficer i Antidrogës, Tiranë
3. Arben Mimami, oficer i Antidrogës, Tiranë
4. Sokol Myrto, oficer i Antidrogës, Tiranë
5. Koço Simaku, shef i Qarkullimit Rrugor, Elbasan

Dy aksidente në superstradën e Lezhës, tre plagosen

LEZHE - Dy aksidente të njëpasnjëshme ndodhën dje në superstradën që lidh Fushë-Krujën me Lezhën, duke shënuar tre persona të plagosur. Aksidenti i parë ka ndodhur në orën 08:30, në superstradën Laç-Lezhë, në vendin e quajtur kryqëzimi i Fushë- Milotit. Dy autovetura “Benz”, njëra me targë TR 6346 N, me drejtues 48-vjeçarin Ndue Shkurti nga Tirana, dhe tjetra me targë LE 5786 A, që drejtohej nga 20-vjeçari Elvis Gjoka, nga Lezha, janë përplasur mes tyre. Për pasojë, të dy personat janë plagosur rëndë, duke përfunduar në Spitalin e Lezhës. Sipas mjekëve, pavarësisht plagëve, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka mbërritur grupi i ekspertëve të policisë rrugore të Kurbinit dhe sipas tyre mendohet se shkak i aksidentit është shpejtësia e madhe e mjeteve dhe lagështira në rrugë nga reshjet. Pas rreth 1 ore, një tjetër aksident ndodhi në superstradën Laç-Lezhë, pranë kryqëzimit të Ishullit të Shëngjini. Një çiklomotor, që drejtohej nga 21-vjeçari Alket Gjekmarkaj, nga fshati Ishull-Shëngjin, u përplas me makinën “Opel” të lezhjanit Ndue Gjetja. Gjekmarkaj mbeti i plagosur, duke u përcjellë për në Spitalin e Lezhës.                  r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›