Fishek në zarf drejtorit të Sigurimeve
Etleva Delia
Drejtori i Drejtorisë së Shkaktimit të Dëmeve në INSIG, Ardian Jeshili, ka denoncuar në polici për kanosje pasi ka gjetur në tavolinën e tij një zarf, brenda të cilit ishte futur një fishek pistolete. Zarfi nuk kishte asnjë mbishkrim, por fillimisht i dëmtuari Jeshili ka lidhur kërcënimin ndaj tij me një aksident automobilistik ku kishte mbetur i vdekur vëllai i tij. Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur për gazetën “Panorama”, se dyshimet e të dëmtuarit kishin të bënin me familjarët e personit që i kishte aksidentuar vëllanë, pasi sipas tij ai nuk kishte asnjë konflikt tjetër. Ardian Jeshili, 10 ditë më parë ka bërë një denoncim në Sektorin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke e klasifikuar këtë ngjarje si një kërcënim serioz ndaj jetës së tij. Në kallëzim ai ka përshkruar të gjithë ngjarjen për të cilën dyshonte, duke sqaruar se në zyrë i kishte mbërritur ai zarf me një plumb arme zjarri. Denoncuesi ka treguar edhe arsyet se përse mendonte se po kërcënohej. Sipas tij askush tjetër nuk mund ta kishte bërë atë veprim përveç familjarëve të personit që i kishte aksidentuar për vdekje vëllanë. Kjo për arsye se ata e kishin ftuar disa herë që të takoheshin, në mënyrë që të gjenin një marrëveshje lidhur me vdekjen e të vëllait, por ky nuk kishte pranuar dhe takimet e kërkuara nuk ishin realizuar asnjëherë. Verifikimet e oficerëve të policisë së Tiranës kanë zbuluar se motivi i ngjarjes ka qenë krejt tjetër.
HETIMI
Pas denoncimit të bërë 10 ditë më parë në polici nga Ardian Jeshili, një grup hetimor mori provat në shqyrtim dhe e klasifikoi ngjarjen si kanosje, duke nisur menjëherë hetimet. Nga një ngjarje e koklavitur, për faktin se zarfi në të cilën ndodhej fisheku i pistoletës “Beretta” nuk kishte asnjë mbishkrim, gjithçka ka rezultuar në një rreng të thjeshtë. Kamerat e sigurisë të zyrave të INSIG, të cilat janë verifikuar nga hetuesit kanë zbuluar gjithçka. Dyshimet e të dëmtuarit Jeshili janë hedhur poshtë menjëherë sapo janë zbardhur kasetat filmike që ishin marrë nga godina ku ndodhi ngjarja. Zarfi ishte një “dhuratë” nga shoferi i kësaj shoqërie, Adrian Lulo. Ai u shoqërua në polici, ku ka deklaruar se gjithçka e kishte bërë në formën e një shakaje, për ta trembur kolegun e tij Ardian Jeshili. Një fakt i tillë është pranuar nga i dyshuari Lulo pasi është zbuluar nga policia. I dyshuari ka pohuar në polici se gjithçka ishte personale dhe se nuk ka dashur ndonjëherë ta kërcënonte denoncuesin, por vetëm ta trembte në formë shakaje mes kolegësh. Këtë veprim ai pretendonte se e ka kryer pas disa debateve që ka pasur brenda punës me Ardian Jeshilin. Ndërkohë dosja tashmë është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës dhe ngjarja është klasifikuar si kanosje ndaj të dëmtuarit. Burimet zyrtare bënë të ditur se Prokuroria ka nisur procedimin penal ndaj shoferit të INSIG-ut, Adrian Lulo, me akuzën e kanosjes.
Shoferi i INSIG, dyshohet si autor
Pas denoncimit që Ardian Jeshili ka bërë në polici për kanosje, grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje nuk ka vonuar të zbulojë se kush ishte autori. Në ndihmë kanë ardhur kamerat e sigurisë të vendosura tek zyrat e INSIG-ut, të cilat kanë zbuluar se zarfi me fishek ishte futur në zyrën e Jeshilit nga shoferi i kësaj shoqërie, Adrian Lulo.