Programi, Meta: Si do ta shpëtojmë bujqësinë nga rrënimi
Lëvizja Socialiste për Integrim nis shpalosjen e programit të saj elektoral, duke e debatuar gjerësisht me elektoratit dhe qytetarët. Dje pasdite, në njërën prej sallave të Akademisë së Arteve në Tiranë, u prezantua Strategjia e LSI për Zhvillimin e Bujqësisë. Në Konferencën Kombëtare për Bujqësinë, ku u prezantua kjo strategji, merrnin pjesë pedagogë, studentë dhe specialistë të kësaj fushe. Hapjen e Konferencës Kombëtare e bëri Kryetari i KDK, Edmond Haxhinasto, i cili theksoi se kjo Konferencë do të pasohet nga dhjetëra të tjera në të gjithë Shqipërinë. Më pas ai ftoi Kryetarin e LSI, Meta, për të paraqitur gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet bujqësia sot, si dhe për të paraqitur alternativat e LSI për zhvillimin e bujqësisë dhe integrimin e zonave rurale. “Kryeçështja e LSI dhe politikës sot është varfëria. Me varfëri nuk ka zhvillim; pa zhvillim nuk ka integrim në Evropë. Sot, një në çdo tre shqiptarë janë të varfër dhe shumica e tyre jeton në fshat. Bujqësia është sektori më i diskriminuar nga qeveria Berisha. Në vitin 2008, bujqësia zuri rreth 22 % në prodhimin e përgjithshëm bruto, por ajo përfitoi vetëm 0.5 % të tij”, deklaroi Meta. Kreu i LSI-së theksoi se “rritja e prodhimit bujqësor është 2-3 % në vit, 2-3 herë më e ulët se ritmet e rritjes së GDP. Ndërkohë që deficiti i përgjithshëm tregtar është 1 me 4, ai i produkteve ushqimore është 1 me 9, ndërsa ai i produkteve agroushqimore është 1 me 12”. “Për të importuar produktet ushqimore, shqiptarëve u duhet të paguajnë mbi 600 milionë euro, pra gjysmën e të ardhurave që hyjnë çdo vit në Shqipëri nga emigrantët. Infrastruktura në fshat është akoma e rrënuar. Premtimet e Sali Berishës për 400 km rrugë rurale janë tretur në aferat e korrupsionit, së bashku me shumë premtime të tjera”, theksoi kreu i LSI-së. Programi i kësaj partie synon daljen nga kriza e thellë të bujqësisë, duke synuar zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronësisë. Zgjidhja përfundimtare e pronësisë së tokës, çështja e kreditimit, zbritja e ndjeshme nga tatimi i agro-biznesit, janë disa prej pikave të programit të LSI-së.
Programi i LSI për bujqësinë
• konsolidim i pronësinë mbi tokën dhe zgjerim të tregun të saj.
• Toka do të kthehet në një mjet pune, përmes investimeve edhe në sistemin e ujitjes dhe kullimit.
• Aplikim të subvencionimit për njësi produkti, pra subvencione për çdo kg mish, grurë, fruta apo litër qumësht të prodhuar.
• Synimi kryesor do të jetë krijimi i markave e brandeve që do të konkurrojnë nesër në tregun e eksporteve, por edhe që do të furnizojnë industrinë turistike në vend.
• Do të ketë një fond të veçantë për garanci kreditimi, si dhe do të ketë zbritje të konsiderueshme nga tatimi për bizneset agro-përpunuese për punësimin.
• Punësimi, prioriteti ynë i parë, do të motivohet me skema incentivash konkrete fiskale.
• Bonusi jetik dhe punësimi jetik do të jenë pjesë themelore e politikës sonë edhe në fshat, pasi aty është edhe varfëria më e madhe.