E Diel, 1 Nëntor 2026

Afera me tenderat, 10 vjet burg zyrtarëve

• TIRANE – Një dekadë burg ishte pretenca e organit të akuzës së kryeqytetit për tre të akuzuarit për abuzimet me tenderët në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Prokurori i çështjes kërkoi dje dënimin me 5 vjet burg për ish-sekretarin e Përgjithshëm të këtij institucioni, Spartak Gjini, të cilin e akuzoi për korrupsion pasiv. Nën të njëjtën akuzë u kërkuan 4 vjet burg për Llambi Tarkën, anëtar i komisionit të prokurimit në disa tenderë në këtë institucion. Ndërsa për ortakun e vetëm të ish-firmës fituese të tenderëve ku mendohet se janë kryer abuzimet, Fiqiri Pali, Prokuroria kërkoi dënimin me një vit burg nën akuzën e korrupsionit aktiv. Më parë gjykata u kishte pranuar të pandehurve kërkesën për aplikimin e gjykimit të shkurtuar në këtë proces, pasi këta janë shprehur dakord që çështja të zgjidhej në gjendjen në të cilën ndodhen aktet. Seancën tjetër pritet që vetë të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre të paraqesin para gjykatës fjalën e mbrojtjes, ndërsa paraprakisht ata kanë pohuar se mbajnë qëndrim mohues ndaj akuzës. Sipas Prokurorisë, tre të pandehurit kanë abuzuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin në një tender që kap vlerën e 39 milionë lekëve të reja, për rikonstruksionin e godinës së Ministrisë së Punës. Dy zyrtarët dhe biznesmeni u prangosën në fillim të nëntorit të vitit të kaluar pas denoncimit të aferave korruptive mes tyre, duke paracaktuar si fituese të tenderit firmën e Palit. Hetimet ndaj tyre kishin filluar pak javë më parë, pas denoncimit të kryer nga një ndërtues tjetër, firma e të cilit ishte skualifikuar nga tenderi pa të drejtë. Pas marrjes së denoncimit Prokuroria ka filluar verifikimet dhe hetimet ndaj tyre, ku fillimisht u pohua se ka rezultuar se dy zyrtarët janë të përfshirë në afera korruptive në tenderin e kësaj ministrie. Më pas u bë e ditur se Gjini dhe Tarka kanë kryer shkelje edhe në dy tenderë për ndërtimin e qendrave sociale në rrethe. Ndërsa në lidhje me tenderin e rikonstruksionit të ministrisë, dy të pandehurit Gjini dhe Tarka mendohet se kanë përvetësuar 10% të shumës së tenderit, duke përzgjedhur paraprakisht firmën fituese të Palit. Gjatë hetimeve zyra e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës pohoi se ndaj dy zyrtarëve janë siguruar prova të pakontestueshme, të cilat ishin zbuluar pas përgjimeve telefonike midis të pandehurve. Pas kësaj për të akuzuarit u mor masa e sigurisë në mungesë dhe më pas u vunë nën pranga.                    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›