E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptari vrasës me pagesë, 3 shtete betejë për ekstradimin

• Arrestimi i Dritan Rexhepit nga policia holandeze në Amsterdam, ka futur në garë për ekstradimin e tij tre shtete të interesuar për të cilësuarin si vrasës me pagesë.

Dashamir Biçaku 

Autoritetet shqiptare të drejtësisë janë të interesuara për ekstradimin e Rexhepit në drejtim të Shqipërisë, pasi ai akuzohet në një proces penal në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për vrasjen e dy efektivëve të policisë së komisariatit të Krujës, Arben Keqi e Durim Kasmi. Veç këtij krimi, Dritan Rexhepi është i dyshuar nga policia edhe për krime të tjera, të cilat nuk janë bërë të ditura për shkak të sekretit hetimor. Autoritetet italiane të drejtësisë, gjithashtu e kanë pasur në listat e tyre të kërkimit Dritan Rexhepin, për veprimtari kriminale që dyshohet se janë kryer në periudha të ndryshme prej të arrestuarit. Ndaj tij Prokuroria e Antimafies së Venecias, prej më tepër se një viti, ka nxjerrë një urdhër arresti për veprat penale të trafikut ndërkombëtar të drogës, grabitjes, armëmbajtjes pa leje, krijim të organizatave kriminale dhe krimeve të tjera kundër jetës. Veç autoriteteve italiane dhe shqiptare, një urdhër ndërkombëtar arresti për super të kërkuarin shqiptar kanë lëshuar edhe autoritetet policore të Belgjikës. Policia e Antverpës e ka shpallur gjithashtu në kërkim Rexhepin, për krime të cilat ai dyshohet se i ka kryer në Belgjikë, gjatë qëndrimit të tij aty para se të mbërrinte në Holandë. Duket se beteja më e madhe për ekstradimin e tij do të kryhet nga autoritetet italiane të drejtësisë, me autoritetet belge. Ndërkaq policia shqiptare mësohet se ka pasur një oficer kontakti të saj në Belgjikë, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe të dhënave. Të dhënat lidhur me krimet për të cilat akuzohet Dritan Rexhepi në Shqipëri, si dhe elementë të tjerë identifikues si fotografia, gjurmët e gishtërinjve po transmetohen në Holandë nga oficeri i Interpolit. Krahasimet e kryera nga specialistët holandezë me të dhënat e policisë shqiptare, kanë realizuar identifikimin e Dritan Rexhepit pas ndalimit të tij në Amsterdam. Pas identifikimit të tij, organet e drejtësisë së Amsterdamit duhet të vendosin për ekstradimin e shqiptarit, por më parë ai duhet të vuajë dënimin e armëmbajtjes pa leje, vepër penale e kryer në Holandë. Dritan Rexhepit policia holandeze i kapi një pistoletë që e mbante me vete pa leje. Duket se vendi më i favorizuar për të fituar nga ekstradimi i Rexhepit, do të jetë Italia. Kjo e fundit zotëron edhe një pjesë të mirë të të dhënave të veprimtarisë kriminale për të cilën dyshohet 28-vjeçari Rexhepi. Ndërkaq lehtësia e komunikimit të organeve të drejtësisë së vendeve të BE-së, duket se do të favorizojë Italinë dhe Belgjikën, kundrejt Shqipërisë. Pikërisht në fqinjin jugor të Holandës, në Belgjikë, dyshohet se ka qëndruar më parë i kërkuari shqiptar. Ky i fundit mendohet se ka braktisur Belgjikën vetëm pak javë më parë, pasi mendohet të ketë nuhatur gjurmuesit e policisë që i ishin vënë pas. Pasi kishte kaluar kufirin në drejtim të Holandës, agjentët e Interpolit kanë vazhduar ndjekjen e Dritan Rexhepit, ndërsa kanë mundur ta ndalojnë me një armë në kryeqytetin holandez dy ditë më parë. Ndaj tij aktualisht po zhvillohet një proces penal në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku akuzohet për vrasje të dy efektivëve të policisë, Arben Keqi e Durim Kasmi, armëmbajtje pa leje, largimi nga vendi i izolimit. Bashkë me të në proces ndodhet edhe Sokol Halili nga Vlora, Shefqet Seferi e Kastriot Tafa, këta dy të fundit nga Kruja.

ANTIMAFIA
Prokuroria e Antimafies italiane ka firmosur një urdhër arresti ndaj Dritan Rexhepit, rreth një vit më parë, duke e akuzuar atë për veprimtari të trafikut të drogës të kryer në Itali. Burime të Policisë së Shtetit thanë dje për gazetën “Panorama”, se hetuesit e antimafies së Venecias kishin kohë që hetonin Dritan Rexhepin për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, krijim të organizatave kriminale e krime të tjera. Tashmë mësohet se organet italiane të hetimit kanë paraqitur së paku verbalisht nëpërmjet komunikimeve të tyre dëshirën për ekstradimin e super të kërkuarit. Në një periudhë të shpejtë ata mund t’i dorëzojnë dosjen për ekstradim prokurorisë holandeze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›