E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çifti maqedonas arrestohet me dokumente false në Rinas

• TIRANE - Prangoset në aeroportin e Rinasit çifti shqiptaro-maqedonas me pasaporta dhe karta identiteti finlandeze të falsifikuara.

 Sipas hetimeve të para, të arrestuarit i kishin blerë për 2 mijë euro secilën prej dokumenteve te një bullgar dhe duke i përdorur ato donin të udhëtonin për në SHBA. Alban Aliji, 23 vjeç, me banim në Shkup, si dhe e fejuara e tij, Jehona Marki, 23 vjeçe nga Dibra, të dy me shtetësi maqedonase dhe kombësi shqiptare, janë arrestuar nga policia e Rinasit mesditën e djeshme. Ata akuzohen për kalim të paligjshëm të kufirit dhe vënie në përdorim të dokumenteve të identitetit të falsifikuar. Arrestimi i tyre është pohuar dje në mbrëmje nga policia e Rinasit, e cila konfirmoi se personat e mësipërm ishin kapur me dy pasaporta dhe dy karta identiteti false. Çifti i shqiptarëve nga Maqedonia mësohet se kishte mbërritur në Shqipëri nëpërmjet pikës doganore të Qafë-Thanës të dielën. Dje në mesditë ata kanë hyrë në terminalin e aeroportit të Rinasit, ndërsa me vete mbanin dokumentet e identitetit me vulat e shtetit finlandez. Gjatë marrjes në intervistë të tyre nga policia kufitare e Rinasit, çifti ka shfaqur mangësi dhe mospërputhje në përgjigjet e dhëna dhe kjo ka bërë që oficerët e kufirit të dyshojnë. Gjatë kontrollit të sistemit TIMS, është zbuluar se këta persona kanë hyrë në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës. Në këtë kalim kufiri, dy të fejuarit kanë përdorur dokumentet e tyre të zakonshme të identiteti të lëshuara nga autoritetet maqedonase. Në të kundërt në aeroportin e Rinasit ata kanë vendosur që të nxjerrin si dokumente identiteti pasaportat dhe kartat e identitetit që mbanin vulën e shtetit finlandez. Gjatë intervistimit, policët kufitarë kanë vënë re edhe nëpërmjet TIMS-it se këto dokumente nuk kishin kryer asnjë hyrje-dalje, e po kështu edhe në faqet e tyre nuk kishte vula të ndonjë pike të kalimit kufitar. Intervista ka zgjatur dhe inspektorët e policisë kanë mësuar prej çiftit se dokumentet e identitetit ishin false. Ata janë detyruar ta pranojnë një fakt të tillë. Menjëherë më pas ata janë dërguar në komisariat, ku iu është komunikuar arrestimi. 23-vjeçari Aliji ka pohuar se i kishte porositur me postë tek një bullgar. Pasi kishte paguar paratë, prodhuesi u kishte thënë se për të kaluar më lehtë do të kishte qenë më mirë të udhëtonin në Shqipëri, pasi në pika të kalimit kufitar të shteteve të tjera edhe mund të arrestoheshin. Mirëpo duket se policia kufitare e Rinasit ka qenë e kujdesshme me pasagjerët e linjave ndërkombëtare, duke arritur të zbulojë dokumentet e falsifikuara që çifti maqedonas kishte në përdorim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›