E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Liruan Delijorgjin, ndëshkim gjyqtarëve”

• KLD-ja nis furtunën në Durrës ndaj gjyqtarëve që i dhanë pafajësinë Mihal Delijorgjit pasi ai u arrestua në vitin 2004, me akuzën e evazionit fiskal.

Fatos Mahmutaj

Lajmi konfirmohet nga burime të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sipas të cilëve inspektorati ka krehur dosjen e Delijorgjit të shqyrtuar në dhjetor 2006 në Gjykatën e Apelit të këtij qyteti, ndërsa ka nisur verifikimi i shkeljeve ndaj tre gjyqtarëve që kanë gjykuar atë. Pas kësaj do të nisin procedurat për shkarkimin e këtyre gjyqtarëve. Kontrolli në këtë institucion u krye vetëm pak ditë më parë, ndërsa bëhet e ditur nga KLD se tashmë kanë filluar procedurat për shkarkimin e tre gjyqtarëve që gjykuan dosjen e Delijorgjit nën akuzat e “kontrabandës me mallra të tjera” dhe “falsifikim formularësh”. Pushimi i gjykimit për këto dy akuza i dha të drejtën Delijorgjit në fund të dhjetorit të vitit 2006, vetëm katër ditë para Vitit të Ri të rilidhte një kontratë për demontimin predhave në Gërdec, pranë Vorës, çka shkaktoi më 15 mars një tragjedi të përmasave të jashtëzakonshme për Shqipërinë, ku të paktën 26 vetë humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën, një pjesë e mirë e të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.
Gjyqi
Mihal Delijorgji, ortaku i vetëm i kompanisë së skrapit “Përparimi”, u arrestua në prill të vitit 2004 nën akuzën e evazionit fiskal, ndërsa më 5 maj të atij viti ai u lirua kundrejt garancisë pasurore një milionë USD. Në seancën e gjykimit të 15 korrikut 2005, Gjykata e Durrësit rrëzon kërkesën e avokatit mbrojtës për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “garanci pasurore” në “detyrim paraqitjeje”. Por atë që nuk e lejoi Gjykata e Shkallës së Parë, e bëri Apeli. Kjo gjykatë me vendim numër 48 të datës 2 shtator 2005, ndryshoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pranon kërkesën e mbrojtjes së Delijorgjit për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke zhbllokuar në këtë mënyrë shumën që shënoi të parën garanci pasurore në atë vlerë të bllokuar ndonjëherë në Shqipëri. Më vonë Gjykata e Shkallës së Parë Durrës pasi e gjeti fajtor Delijorgjin për kryerjen e dy veprave penale, e dënoi me 100 milionë lekë të vjetra gjobë, ndërsa pranoi padinë civile të Drejtorisë së Doganës së Durrësit për dëmshpërblimin nga Delijorgji të një shume prej 122.668.851 lekë të reja, si pasojë e dëmit që kishte shkaktuar nëpërmjet kontrabandës dhe falsifikimit të formularëve doganorë gjatë kalimit të skrapit. Pas kësaj Delijorgji dhe mbrojtësit e tij e animuan këtë vendim në Apel duke pretenduar pafajësinë.
Apeli
Kur çështja mbërriti në Gjykatën e Apelit të Durrësit, të gjithë gjyqtarët e këtij institucioni hoqën dorë nga gjykimi njëri pas tjetrit, duke pretenduar se kishin gjykuar më parë vendime të shkalës së parë për Delijorgjin apo këtë çështje të tij. Disa prej tyre hoqën dorë se kishin gjykuar masat e sigurisë ndaj Delijorgjit. E ndodhur në këtë situatë KLD-ja u detyrua të delegonte nga Tirana tre gjyqtarë të Apelit Ushtarak, Shaqir Gradica, Ylli Minko dhe Naum Pejo. Këta pasi e shqyrtuan çështjen në ngarkim të Delijorgjit, vendosën të pushonin gjykimin me argumentet se nuk ekzistonte vepra penale, ndërsa për pasojë rrëzuan edhe padinë civile të Doganave në ngarkim të Delijorgjit, duke e nxjerrë pa lagur atë. Menjëherë pas katastrofës së Gërdecit, për të cilën Delijorgji ndodhet në qeli KLD-ja urdhëroi inspektoratin për të kontrolluar në Gjykatën e Apelit Durrës, dosjet e këtij biznesmeni, pasi pafajësia që iu dha aty në dhjetor të vitit të kaluar do i hapte rrugën për të lidhur kontratën e Gërdecit me MEICON.

Koçi: PS të distancohet nga Mihal Delijorgji

Drejtuesi i Lëvizjes Institucionale të Socialistëve, Petro Koçi, vlerëson “se fajësia politike dhe ligjore mbi tragjedinë e Gërdecit nuk përbën thjesht një shans të opozitës për të kërkuar pushtetin dhe për të rrëzuar Sali Berishën. Nëse opozita do e përdorë këtë ngjarje vetëm si këngë politike për t’ia kënduar Sali Berishës deri në zgjedhje apo edhe ca ditë pas zgjedhjeve, ky do të ishte një krim i ri”. Sipas tij, për ngjarjen e Gërdecit përgjegjësitë e shtetit dhe politikës mbi të duhet të kthehen në shansin e shoqërisë për të pastruar një pjesë të klasës politike nga lidhjet e saj me krimin dhe korrupsionin. “Fenomeni Delijorgji ngarkon me përgjegjësi demokratë e socialistë. Ai është rasti i bërë publik kur pushteti informal e ka vënë nën këmbë pushtetin e zgjedhur politik. Kostoja e bërjes publike të aferës së Gërdecit qe shumë e lartë. Prandaj PSSH duhet të distancohet urgjentisht nga fenomeni Delijorgji dhe pushtetin e tij mbi drejtues të caktuar të partisë”, deklaron Koçi. Kjo është e vetmja mënyrë, sipas deputeti të PS-së, për të shkarkuar Sali Berishën do të ishte e besueshme. “Lëvizja Institucionale Socialiste shpreson që këtë aksion parimor të mos e frenojnë dot sheshet e ndërtimit që Delijorgji ka marrë nga Bashkia e Tiranës”, theksoi Rama.

Mihal Delijorgji në 2004 i shkaktoi 1.2 milionë USD dëm Doganave
TIRANE - Në prill 2004, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka zbuluar aferat e Mihal Delijorgjit, duke iniciuar ndaj tij procedimin penal për “kontrabandë me mallra të tjera” dhe “falsifikim të formularëve”. Aferat korruptive dhe të paligjshme të tij ishin shtrirë në vite më parë, ku sërish ai dhe firma e tij “Përparimi”, kanë pasur kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes për eksportimin e mbetjeve të predhave dhe sjelljen e hekurit që duhej të prodhohej nga këto predha. Në hetimin e zhvilluar ishte zbuluar e gjithë skema e përdorur nga Delijorgji për të shmangur detyrimet doganore në shumën 1.2 milionë dollarë. Ai ka mashtruar me një sasi hekuri, duke deklaruar se ai ishte produkt i mbetjeve të predhave të eksportuara në Qipro. Por autoritetet doganore kishin vërtetuar se predhat ishin shkarkuar në Selanik, ndërsa hekuri kishte ardhur nga Italia. Delijorgji si administrator i “Përparimi” sh.a., kryente aktivitet tregtar në përpunimin dhe tregtimin e hekurit. Firma e tij e ka objektin në Shkozet, Durrës ku është pajisur nga Doganat me regjimin e magazinës doganore. “Përparimi” lidhjet tregtare i ka me firmën qipriote, “Felmond Trading”, e cila është bërë bashkëpronare me këtë firmë, në 51% të aksioneve të saj. “Përparimi” lidh marrëveshjen me Ministrinë e Mbrojtjes për të blerë mbetje predhash, dhe pas kësaj lidh kontratë me “Felmond”, e cila do të përpunonte skrapin dhe do të sillte në këmbim të këtij malli për firmën “Përparimi”, hekur produkt të gatshëm. Por ndryshe nga kjo Delijorgji e ka shitur skrapin në Selanik, ndërsa një muaj më vonë ka marrë nga Italia 1990.66 tonë hekur ndërtimi, duke pretenduar se është produkti kompensues i sasisë së skrapit të eksportuar. Pas kësaj Delijorgji ka paguar sipas llogarive të tij detyrimet doganore, duke i shkaktuar dëm doganave, çka e çoi në pranga.                              fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›